Një grup profesorësh të inxhinierisë së ndërtimit inspektuan këtë të enjte pallatin në rrugën e Kavajës ku u raportua se pas tërmetit të djeshëm 5.6 i shkallës rihter pësoi deformime.
Gazetari i “Panorama.al”, Mariglen Kume ishte në vendngjarje dhe bën të ditur se nga këqyrja e grupit të profesorëve është arritur në konkluzionin se pallati nuk ka pësuar dëmtime.
Ekspertët e inxhinierisë panë edhe pikat kyçe të ndërtimit dhe nga konstatimi paraprak dolën në përfundimin se nuk ka pësuar dëme.
Ndërkohë shqetësimit të një qytetareje e cila banonte pikërisht në këtë ndërtesë, nëse mund të futen brenda në pallat për të jetuar dhe a ka rrezik të shembet nëse ka ndonjë tërmet tjetër të fortë, profesorët nuk dhanë një përgjigje përfundimtarë, por u sugjeruan që të kontaktojnë me konstruktorin i cili e ka ndërtuar dhe t’u kërkojnë aktin e kolaudimit.
Gazetari i Panorama raporton gjithashtu se një detaj tjetër që vlen për t’u theksuar nga grupi i profesorëve të inxhinierisë së ndërtimit ishte apeli i tyre që të inspektohen me imtësi pallatet e vjetër të ndërtuar para ‘90-ës, në të cilat së fundmi në katet e para është ndërtuar për t’i kthyer në lokale, pasi sipas tyre në disa raste është prekur struktura e pallateve.
g.kosovari