SHCBA nis verifikimet për disa punonjës policie pasi dyshohet se kanë dekonspiruar aksionin për arrestimin e ish kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmakut.
Policia shkoi të ekzekutonte urdhërarrestin por Kajmaku nuk u gjet në shtëpi. Policia e Tiranës e kishte marrë kërkesën për arrestimin më datën 9 nëntor.
Prej gati 10 ditësh ushtrohen kontrolle edhe në banesat e tek disa të afërm të Kajmakut por deri tani pa rezultat.
Me një vendim Gjykate e cila ka caktuar në mungesë masën e arrestit me burg, për tre vepra penale, efektivë të policisë kanë ushtruar kontrolle në dy banesat e tij në kryeqytet, njëra prej të cilave rezulton të jetë në emër të bashkëshortes së Kajmakut, por ai nuk është gjetur.
I vetmi që është gjetur në banesë në momentin kur ka ushtruar kontrollet policia ka qenë djali i tij, i cili i ka pohuar policisë se nuk kishte asnjë informacion mbi vendndodhjen e të atit apo nënës së tij, ku as kjo e fundit nuk është gjetur aty.
Ndërkohë, duke iu referuar të dhënave të sistemit TIMS, rezulton se ish-kryebashkiaku i Vorës nuk rezulton të ketë dalë jashtë territorit shqiptar. Agim Kajmaku, i shpallur në kërkim tashmë me vendim gjykate është nën akuzë për tri vepra penale “Shpërdorim detyre”, “Falsifikimi i formularëve” dhe “Ushtrimi i funksioneve pas dhënies fund të detyrës”.
g.kosovari