Ylli Rakipi ka mbërritur pak minuta më parë në Gjykatën e Tiranës, ku po përballet me padinë e kryeministrit Edi Rama, i cili e ka paditur për fyerje të personalitetit. Para nisjes së seancës, Rakipi tha se Rama ka zaptuar të gjitha institucionet, dhe se është monark.
Sipas tij, kryeministri ka nisur një sulm ndaj gazetarëve me padi gjyqësore, për të intimiduar median.
“Është më shumë se regjim, ky kryeministër ka zaptuar të gjitha institucionet, në Parlament ka një opozitë qesharake që voton çdo gjë që do ai, ka një regjim absolut, është një monark. Unë nuk po shpif, unë vërtet mendoj kështu për zotin Rama, ai më kërkon që unë të mos kem mendimin që kam për të, unë do të thërras dhe ekspertët e gazetarisë, pasi kjo është një çështje etike.
Gjyqtarja që ka në dorë çështjen time ende ka në dorë Vetingun, dhe unë mendoj se e nderuara ka frikë, pasi Edi Rama ka në dorë institucionet e Vetingut. Unë kam besim te e nderuara po nga diktatura është për të pasur frikë. Unë do të vijoj më tej me një kundërpadi, do ta çoj ankimimin deri në institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare. Unë pyes drejtësinë nëse fjala kazan është fyerje për gazetarinë”. /e.s/