Kreu demokrat Lulzim Basha në kuadër të turit “Rrugëtimi për Shqipërinë” është ndalur këtë të mërkurë në qytetin e Fierit ku ka zhvilluar një takim me biznesin e vogël të këtij qyteti.
Basha gjatë fjalës së tij, akuzoi qeverinë se si rrjedhojë e taksave të larta ka futur biznesin e vogël në krizë.
“Kriza që po kalon vendi nuk ka kursyer biznesin e vogël. Dyqanet e gjithë vendit janë bosh njësoj si xhepat dhe arka e shtetit. Kjo rezultat i keqqeverisjes dhe taksava të larta. Nga kjo krizë nuk dilet pa zgjidhur krizën e ekonomisë dhe faktori kresor i kësaj zgjidhje është biznesi i vogël. Ndryshe nga fasada e kësaj qeverie, për mua dhe PD do të jetë në qendër të ofertës tonë, çlirimi i biznesit”, tha ai.
Basha premtoi se qeverisja e djathtë në pushtet do të bëjë të mundur “vendosjen e pullës tek biznesi i vogël dhe tatimorët s’do kenë punë më tek bizneset”.
“Moratorium për inspektoriatet të cilat do të pezullohen për tu riformuar. Me vendosjen e pullës tek biznesi i vogël tatimorët s’do kenë punë më tek bizneset, madje mund ta klasifikojmë si vepër penale”, tha Basha.
Më tej kreu i demokratëve tha se kasa fiskale nuk do të ketë këtë funksion në qeverisjen e tij.
“Kasa fiskale nuk do të ketë më këtë funksion. Do të ndërpritet transferimi i të dhënave në ministrinë e finanacave dhe nuk do të paguani më koalidimin e kasave”, tha Basha. /e.s/