Një delegacion deputetësh të Parlamentit të Suedisë është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në vendin tonë.
Në fokus të takimeve ka qenë forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve dhe ecuria e Shqipërisë drejt familjes së madhe europiane. Deputeti i Parlamentit të Suedisë, pjesë e grupit parlamentarë Socialdemokrat, Olle Thorell, nënvizoi, gjatë një prononcimi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, se vlerëson ecurinë e vendit tonë në përpjekjet për t’u bërë pjesë e BE. Ai theksoi se e sheh vendin tonë si pjesë anëtarësisë së Bashkimit Europian.
“Ne jemi miq të Shqipërisë. Kjo nuk është hera ime e parë në Tiranë pasi jemi takuar më përpara. Kemi ardhur këtu si partia simotër e Partisë Socialiste të Shqipërisë për të diskutuar, sesi mund të ndihmojmë në konsolidimin e demokracisë, ndërtimin e strukturave të partisë dhe lehtësimin e rrugës së Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE duke ndarë mendime për çështje të përbashkëta, si barazia gjinore, reforma në gjyqësor”, – tha Thorell.
“Ne ndamë eksperiencat tona dhe shembuj të vendit tonë se si Suedia arriti të integrohej në sistemin europian pasi Suedia nuk ishte anëtare e BE-së deri ne 1995 dhe asaj iu desh të ndërmerrte udhëtimin e integrimit”, – vijoi ai.
“Ne dëshirojmë të jemi të qartë për Shqipërinë, pasi e shohim Shqipërinë si vend anëtar të familjes europiane dhe si pjesë e natyrshme e saj. Ndonëse ajo për momentin ka hasur një pengesë në rrugën e saj drejt BE-së, ne duam t’a shohim Shqipërinë si vend anëtar të BE-së në të ardhmen. Si kudo në botë edhe në Suedi ka një Diasporë të madhe shqiptarësh të cilët janë integruar shumë mirë dhe kontribuojnë në shoqërinë tonë dhe për ne Shqipëria është pjesë e natyrshme e BE-së”, – u shpreh Thorell.
Duke folur për vendimin e Këshillit Europianë të datës 18 tetor, Thorell theksoi vendi ynë duhet të vijojë reformat. “Pavarësisht përgjigjes së Këshillit Europian, Shqipëria duhet të vazhdojë reformat dhe e shoh qe ju mbeteni të angazhuar në këtë aspekt. Ndërkohë do të merren vendime të tjera dhe Suedia do jetë e gatshme për t’ju mbështetur gjatë rrugës. Por ju duhet të vazhdoni zbatimin e reformave ne aspektin politik, ekonomik, demokratik dhe ligjor. Mësova nga kolegët e mi parlamentarë se ata janë shumë të angazhuar në këtë fushë dhe ne presim me padurim të bashkëpunojmë me ju në të ardhmen”, – tha Thorell, gjatë prononcimit të tij për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
/a.r