Nga Flogert Muça
Presidenti i Republikës Ilir Meta në një intervistë të dhënë sot për ‘Neës24’ ka bërë deklarata sikur të ishte kryetar opozite. Kjo nuk është prej kohësh një gjë që e befason opinionin publik, për arsyet që të gjithë i dinë, e megjithatë kjo është një e metë e Metës President. Ai ka sulmuar kryeministrin e vendit sikur të ishte shef opozite edhe pse pozicioni që mban është që të jetë mbi palët dhe simbol i unitetit kombëtar. Sikur të ishte edhe de jure në krye të opozitës, deklaratat e sotme kundër kryeministrit nuk do të ishin anormale, por nga karrigia e presidentit janë jonormale. Po flasim për kryeministrin si instiitucion, jo si emër. Por, fundja me këtë histori jemi mësuar në terrenin shqiptar ndaj edhe kjo nuk na bën më përshtypje.
E meta e dytë që doli sot në pah gjatë intervistës së Metës, ishte qëndrimi i tij se Rama, njëlloj si Zaev duhet të dorëhiqej dhe se është e gjitha përgjegjësi e Shqipërisë mosçelja e negociatave me BE-në.
Për argumentin e dytë kemi disa fakte që rrëzojnë Metën, e këto fakte janë deklaratat e gjithë liderëve të BE-së dhe kancelarive. Ata kanë thënë e stërthënë (kancelarja Merkel e para) se përgjegjës për mosçeljen e negociatave me BE të Shqipërisë e MV është përplasja brenda vetë unionit. Sepse, që të kuptohemi, Shqipëria e MV kanë probleme plot padiskutim, por nuk po flitej për anëtarësim në BE, por për fillim negociatash që zgjasin derisa standartet e vendeve kandidate të arrijnë ato të BE-së.
Sa i përket argumentit se Rama duhet të dorëhiqej si Zaev, Ilir Meta gabon dy herë. Jo sepse i kërkon Edi Ramës të dorëhiqet, sepse atë e bën çdo kryetar opozite (e Ilir Meta po sillet si i tillë e jo si president prej shumë muajsh) e deri këtu nuk ka asnjë problem, por sepse ai përpara një muaji shkeli fjalën e dhënë. Ishte Ilir Meta që u bëtua se do dorëhiqej nëse Venecia do shprehej se ai ka shkelur Kushtetutën me ç’dekretimin e 30 qershorit. Kur Komisioni i Venecias u shpreh se anullimi i zgjedhjeve ishte një veprim që Kushtetuta nuk e lejonte, ai u fsheh pas interpretimeve dhe nuk u dorëhoq.
LEXO DHE : Negociatat/Meta: Do të ishim naivë nëse do të mendonim se Rama do të dorëhiqej pas vendimit të BE-së
Gabimi i dytë është në krahasimin mes rastit të Maqedonisë së Veriut dhe pozicionit të Zaevit me Shqipërinë e Ramën. Këto janë dy raste që nuk kanë asnjë lidhje me njëri tjetrin, pasi sakrificat dhe besa që kishte bërë MV me BE-në, u shktatërruan nga pabesia e kësaj fundit. E jo vetëm kaq, por Zaev që që përbetuar të dorëhiqej nëse përgjigja nga BE do të ishte JO, nuk u dorëhoq, por do të çojë vendin në zgjedhje në prill të 2020, që përkon me anëtarësimin e MV në NATO e që do përdoret si kartë fituese në zgjedhje.
Këto të vërteta Ilir Meta i di më mirë se çdo shqiptar, por kur nuk flet si President por si kryeopozitar, e vërteta ka pak rëndësi.
Ilir Meta sot nuk mund të flasë për dorëheqjen edhe sikur të gjitha ato që tha të ishin të vërteta, sepse ai i pari nuk është shembulli për tu ndjekur.
Ndërsa sa i përket deklaratave të tij se mosçelja e nagiciatave ndaj MV ishte padrejtësi, ndërsa la të kuptohej se Shqipërisë ‘mirë ia bënë’, është dëshmia e qartë se Ilir Meta ndryshe nga çi ka vënë emrin partisë apo deklaratat që bën vazhdimisht, gjëja e fundit që ëndërron është Shqipëria në BE. E për këtë duhet mirëkuptuar, pasi standarti i BE për drejtësinë e jo vetëm është një problem real e këtë e tregojnë me sulmin ndaj reformës në drejtësi.