Nga Idajet Beqiri
Një nga krimet më të rënda për të cilin Izet Haxhia akuzon ish-shefin e tij Sali Berisha është padyshim vrasja dhe më pas zhdukja e trupit e biznesmenit Remzi Hoxha. Ishte 21 tetori i vitit 1995 kur ka ndodhur ngjarja makabër që sa herë përmendet trondit mbarë opinionin shqiptar. Kanë kaluar 24 vite qysh atëherë dhe përpjekjet e familjarëve por edhe të mediave investiguese kanë rezultuar të pasuksesshme për të zbardhur të vërtetën.
Për këtë ngjarje ka folur në intervistat e tij edhe klienti im Izet Hazhia. Dje ai ka dëshmuar për rreth gjashtë orë në Prokurorinë e krimeve të rënda. Rrëfimi dhe detajete reja që ka dhënë Izeti për këtë ngjarje janë tronditëse dhe të kujtojnë krimet monstruoze të Mafias dhe Gestapos.
Pas dëshmisë së tij në Prokurori, unë pata një takim të gjatë me Izetin. Një pjesë të përmbledhur të dëshmisë së tij për zhdukjen e Remzi Hoxhës, po i sjell ekskluzivisht për Dita.
Pasi u njoh me deklarimet e djeshme të djalit të Remzi Hoxhës dhe të ish prokurorit Lahi lidhur me zhdukjen e këtij eksponenti të lëvizjes për çlirimin e Kosovës, Izet Haxhiaj më deklaroi disa prej deponimeve kryesore që ai ka bërë para Prokurorisë së Krimeve të Rënda lidhur me këtë çështje.
Sipas Izet Haxhisë ekzekutimi i Remzi Hoxhës ishte makabër dhe një veprim i mirërakorduar i shërbimit të fshehtë maqedonas dhe SHIK-ut të Shqipërisë të drejtuar nga Bashkim Gazidede.
Remzi Hoxha pasi u vu në gjurmë të takimit Millosheviç-Gligorov-Berisha si dhe pasi mësoi dy objektivat e mëdha që do të arriheshin nga ky takim, i cili u konkretizua me një marrëveshje, e ka filmuar të gjithë takimin dhe bisedat e zhvilluara. Një kopje të këtij regjistrimi ia ka dorëzuar Ibrahim Rugovës.
Shërbimi i fshehtë maqedonas është vënë në dijeni të këtij fakti dhe, të bindur se në atentatin kundër ish Presidentit të Maqedonisë Kiro Gligorov kishte dorë edhe Remzi Hoxha, kanë bërë planin e marrjes peng të tij.
Këtë aksion e kanë udhëhequr vetë Kreu i SHIK-ut të asaj kohe, famëkeqi Bashkim Gazidede dhe Ilir Kumbaro. Pasi është marrë peng dhe është çuar në Vain, në ndërtesën e famshme të SHIK të Gazidedes, disa prej krerëve të këtij shërbimi famëkeq, nën drejtimin e Kumbaros, dhe me ndihmën e tre personave të Njësisë Operative që ishte krijuar atëherë dhe vepronte në kuadër të SHIK-ut, e kanë torturuar në mënyrë çnjerëzore Remzi Hoxhën për të nxjerrë se për llogari të kujt kishte zbuluar, përgjuar dhe regjistruar takimin e fshehtë dhe djallëzor antishqiptar Millosheviç- Gligorov- Berisha dhe në duart e kujt kishte rënë ky regjistrim.
Njëri prej anëtarëve të Njësisë Operative të SHIK-ut, i cili pasi u ekzekutua Remzi Hoxha u pajis me pasaportë diplomatike prej Sali Berishës dhe sot gjendet në Angli, i ka shpjeguar Izet Haxhisë detaje sesi u mbeti në duar i vdekur nga torturat Remzi Hoxha. Ai ka pohuar se Remzi Hoxha nuk e hapte gojën dhe e ruajti deri në vdekje sekretin.
Pasi Remzi Hoxha i vdiq në duar këtij punonjësi të Njësisë Speciale të SHIK, Ilir Kumbaro ka shkuar urgjent në Tiranë dhe ka informuar kreun e SHIK Bashkim Gazidede.
Izet Haxhiaj, si dëshmitar okular, ka parë që në Vilën 4 ku qëndronte Sali Berisha, ka ardhur Bashkim Gazidede me gjithë Ilir Kumbaro. Më ka bërë përshtypje të madhe, pohon Izet Haxhiaj fakti që te Vila 4 vinte Bashkim Gazidede, por kurrë një vartës i tij, siç ishte Ilir Kumbaro!
Pasi kanë biseduar për pak minuta brenda në Vilën 4 atë natë fund tetori, ka deklaruar Izet Haxhiaj, Sali Berisha ka dalë jashtë Vilës me Ilir Kumbaro dhe shëtisnin në ambientet jashtë kësaj Vile duke biseduar të shqetësuar. Bashkim Gazidede qëndronte brenda në Vilë. Pas afro 2 orë bisedë Ilir Kumbaro dhe Bashkim Gazidede janë larguar nga Vila 4.
Punonjësi i Njësisë Operative të SHIK-ut, të cilit i mbeti në duar i vdekur nga torturat Remzi Hoxha, i ka pohuar Izet Haxhisë se Ilir Kumbaro është rikthyer në Vain, në dhomën ku ishte i vdekur Remzi Hoxha dhe u ka bërë të ditur gjithë grupit të ekzekutimit të tij detajet e fshehjes së të gjitha gjurmëve të këtij krimi.
Remzi Hoxha është futur në një thes dhe i është lidhur në trup një masë si shtyllë betoni. E kanë hipur në një varkë dhe e kanë transportuar në thellësi të detit, në drejtimin direkt me dhomën ku mbeti i vdekur. Pasi kanë bërë një udhëtim disi të gjatë me këtë varkë, e kanë hedhur në det. Ilir Kumbaro dhe tre punonjësit e Njësisë Operative të SHIK kanë qenë në varkë bashkë me kufomën e Remzi Hoxhës.
Izet Haxhiaj ka deklaruar gjithashtu dje se njëri prej punonjësve të Njësisë Operative të SHIK është vrarë më pas prej bashkëpunëtorëve të Berishës në kuadrin e mbulimit të krimit të vrasjes së Remzi Hoxhës. Ndërsa personi ekzekutor u arratis nga Shqipëria me pasaportë diplomatike dhe jeton në Angli. Ndërsa të gjithë personat e tjerë që kishin dijeni për këtë krim dhe për shumë krime të tjera të kryera nën drejtimin, nxitjen, frymëzimin e Sali Berishës, janë eliminuar prej tij me një substancë kimike të rrallë. Izet Haxhiaj përmend eliminimin me këtë lloj substance të Butjon Meçes, të Prokurorit Xhevat Hana, të ish kreut të SHIK Bashkim Gazidede, të ish sekretares së Sali Berishës, Linda Ihsani, të ish kreut të SHIK Kujtim Hysenaj e ndonjë tjetër, të cilët kishin dijeni për ekzekutimin e Remzi Hoxhës dhe për disa vepra të tjera penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, njerëzore dhe kombëtare të kryera nga Sali Berisha.
Izet Haxhiaj i ka kërkuar Prokurorisë së Krimeve të Rënda që të bëjnë aktet mjeko-ligjore të të gjithë personave të lartpërmendur, të cilët nuk janë më në këtë jetë, për të nxjerrë shkakun e vdekjes së njëllojtë të tyre nga kjo substancë që atyre u është injektuar nga ekzekutorët e futur prej Berishës.
Letra i Izetit për djalin e Remzi Hoxhës katër vjet më parë
“Kufoma e Remziut u hodh në det. Je rritur pa babanë, ashtu si fëmijët e mi pa mua, për shkak të të njëjtit person”, kështu shprehej Izet Haxhia katër vjet më parë, më 18 tetor 2015 në një letër publike për djalin e Remzi Hoxhës. Po e risjellim të plotë reagimin e Izetit.
Haxhia, ish-shoqërues dhe njeri i afërt i Sali Berishës nga fillimet e pluralizmit deri në grushtin e shtetit të shtatorit 1998, thotë se trupi i Remzi Hoxhës pas vdekjes në tortura është hedhur në det.
Më poshtë pjesë nga letra e z.Haxhia:
“Ardian, lexova intervistën tënde në gazetën DITA dhe ndihem i prekur. Ti je rritur pa babain tënd, ashtu si fëmijët e mij janë rritur pa mua. Unë ju drejtohem juve si një baba që ka me vite që nuk takon fëmijët e tij, për shkak të njëjtit person që juve ju ka bërë të kërkoni të drejtën më të ligjshme në botë, një varr.
Babain tënd Ardian, e vrau shteti amë dhe veglat e shërbimeve sekrete fqinje. E vranë sepse ishte një nacionalist. Dhe më e tmerrshmja, pasi e vranë në tortura mizore, trupin e tij të pajetë e hodhën në det. Remzi Hoxha ishte një dëshmitar i tradhtisë së tyre ndaj atdheut dhe shqiptarizmit.
Unë nuk gjej fjalë t’ju ngushëlloj juve, por vetëm një apel kisha për shtetin shqiptar sot: Kumbaron dhe Sefgjinin t’i çojë para drejtësisë qoftë edhe me statusin e të penduarit. Vrasja dhe zhdukja e kufomës së Remzi Hoxhës është një njollë e zezë në historinë e shtetit shqiptar. Është në nderin e kësaj qeverie që të vejë në vend sadopak dinjitetin e këtij shteti duke e zbardhur këtë krim makabër…”
Më herët në intervistat e tij në DITA, Haxhia ka folur mbi vitet që shenjuan rritjen e UÇK-së dhe sjelljen e shtetit shqiptar ndaj lëvizjes së armatosur që kulmoi me pavarësinë e Kosovës.
“Në atë kohë ishte një blasfemi e madhe të ishe pjesëtar i këtyre grupeve. SHIK u kthye në një gjuetar shtrigash ndaj tyre. Në një moment u bë i pamundur vazhdimi i veprimtarisë së këtyre në Shqipëri dhe shumica u detyruan të largoheshin ilegalisht në Kosovë apo në Perëndim.
Vetëm vite më vonë, kur filloi lufta çlirimtare, njerëz që qarkulluan atë kohë në Shqipëri dolën haptazi që ishin pjesë e UÇK-së. Më përpara kishin frikë e druheshin se dekonspiroheshin nga SHIK-u shqiptar.
Berisha ka qenë pengesa kryesore për veprimtarinë e tyre. Kur lufta çlirimtare e UÇK-së u bë e njohur në gjithë botën e fitoi dashurinë e gjithë shqiptarëve, edhe Berisha e ktheu pllakën – dëshmon Haxhia.
Në dëshminë e parë të Haxhiajt për DITA mbi fatin e Remzi Hoxhës në 30 prill 2015, ish-truproja thotë:
“Arrestimi i Remzi Hoxhës është bërë me urdhër të Gazidedes, kjo është e sigurt. Atëherë mes nesh flitej se Remzi Hoxha kishte filmuar një takim të Berishës, Gligorovit e Millosheviçit në vilën Viljana në Ohër.
Që ka pasë një takim Berisha-Gligorov në atë vilë, kjo është e vërtetë. Nuk di për Millosheviçin, por ajo që më ka bërë përshtypje në atë takim është se asnjë nga shoqëruesit e Berishës nuk është lejuar të futet në brendësi të kësaj vile.
Gjë që nuk na ka ndodhur kurrë në asnjë takim tjetër ndërkombëtar, madje as në Shtëpinë e Bardhë… Remziu ka vdekur nga torturat në qelitë e SHIK-ut. Atë kohë qarkulluan nën zë dy variante për trupin: njëri, që u transportua në det afër Lezhës me lundër dhe u hodh atje dhe, i dyti, që kufoma u dogj dhe u varros diku në anën e pasme të Dajtit”.
Ardian Hoxha ka pohuar gjithashtu 4 vite më parë se Berisha mori dijeni mbi provat që kishte Remzi Hoxha prej Pjetër Arbnorit.
“Urdhri për zhdukjen e babait tim ka ardhur nga udhëheqësit më të lartë shtetërorë të asaj kohe.
E gjithë kjo u bë që të mos dalin në publik bizneset sekrete në mes udhëheqësve të lartë shtetëror të Shqipërisë dhe atyre të Serbisë, që më vonë i bëri publike edhe ish-kryetari i Malit të Zi, siç ishin furnizimet me naftë, armatim, etj.
Çfarë do të kishte skandal më të madh se Sali Berisha duke i shitur naftë dhe armatim Sllobodan Millosheviçit, ose takimit të Bashkim Gazidedes me Arkanin?
Këto informata i shkuan Sali Berishës përmes Pjetër Arbnorit, që ishte mik shumë i mirë i babait tim, dhe zyrës së LDK-së në Kosovë, të cilën e kishin njoftuar për këto takime.
Një lajm i tillë për publikun në Shqipëri do të rrezikonte pafund karrierën politike të udhëheqësve të asaj kohe…”
Ceshte ku agjent i UDB si filmoka takime udheheqsash
Akoma flet ky komunisti Idajet Beqiri qe e zbuan nga Belgjika bashke me gruan e tij Nexhmijen?!