Gjykata e Apelit në Vlorë ka lënë në burg Mihal Kokëdhimën, i cili shkaktoi një skandal duke terrorizuar turistët spanjollë.
Kokëdhima e ka ankimuar masën e arrestit me burg dhënë ndaj tij pas incidentit aq të dhunshëm ndaj të huajve, që mori vëmendjen e mediave në botë dhe u bë shkak i reagimit edhe nga qeveria shqiptare.
Seanca është zhvilluar këtë mëngjes në gjykatën e Apelit Vlorë me dyer të mbyllura. Nëpërmjet avokatëve mbrojtës, Kokëdhima ka parashtruar në gjykatën e Vlorës disa raporte mjekësore të spitalit të Janinës, duke tentuar të bindin gjyqtaren Esmerilda Habili, se Kokëdhimës i rrezikohet jeta gjatë qëndrimit në burg, pasi sëmundja e zemrës që ai vuan, mund të sjellë përkeqësimin e shëndetit.
Kujtojmë se jo më larg se dy ditë pas publikimit të videos, ku Kokëdhima shfaqej duke u kacavjerrë mbi furgonin e turistëve me duart e gjakosura, qeveria mori vendim për shembjen e restorantit të tij Panorma, që rezultonte pa leje.
/a.r