Policia e Lezhës thotë se ka ushtruar kontrolle dhe shërbime pranë shkollave, për parandalimin dhe goditjen e tentativës për shpërndarje të lëndëve narkotike, duke vënë në pranga një person.
Nga kontrollet e kryera, në afërsi të një shkolle u kap dhe arrestua në flagrancë një person, në tentativë për të shpërndarë lëndë narkotike.
Kështu gjatë kësaj të hëne u vu në pranga S. R., 23 vjeç, banues në Ishull Shëngjin, Lezhë.
Arrestimi i tij u bë pasi efektivët e policisë dispononin informacione se i riu shpërndante lëndë narkotike dhe gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij, iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale doza të vogla me lëndë narkotikë kanabis sativa.
Gjithashtu gjatë kontrollit në banesë dhe përreth saj u gjetën dhe 203 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa.
Ndaj të dyshuarit për ndjekje të mëtejshme materialet iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
/a.r