“Qeveria dështoi në mbledhjen e të ardhurave, nga tatimet e doganat do të jenë 90 – 100 milionë dollarë më pak të ardhura. Rama do miratojë një akt normativ që fsheh të vërtetën mbi dështimin e mbledhjes së të ardhurave, heq shpërblimet për pensionistët dhe ul ndjeshëm investimet”, tha në një deklaratë për shtyp, drejtori i kabinetit të PD-së Dorian Teliti.
Në vijim, Teliti shtoi se Qeveria do të miratojë së shpejti në parlament aktin normativ që vulos dështimin e qeverisë me ekonominë edhe këtë vit.
“Me gjithë përpjekjet tinzare për të fshehur dështimin, të gjithë treguesit flasin për përkeqësimin e mëtejshëm të ekonomisë së vendit, për më pak punë, për më pak para në xhepat e shqiptarëve. Akti normativ qeveritar: Fsheh të vërtetën mbi dështimin e mbledhjes së të ardhurave. Nuk parashikon shpërblime për pensionistët dhe të pamundurit. Ul ndjeshëm investimet në projekte zhvillimore dhe infrastrukturë. Braktis qëllimisht ish të përndjekurit”, shprehet ai.
Teliti tha se qeveria mashtroi ish- përndjekurit politikë për dëmshpërblimin
“Kjo qeveri që erdhi në pushtet me mashtrimin e dëmshpërblimit të plotë të ish të përndjekurve politikë, i ka braktisur ata. Me vetëm 12 milionë dollarë për dëmshpërblimin financiar, kjo qeveri e ka zgjatur mbi dy dekada afatin për të shlyer plotësisht faturën financiare”, tha ai.
Po ashtu Teliti theksoi se “Partia Demokratike është e vetmja alternativë e besueshme qeverisëse! Ne do ta nxjerrim vendin nga kriza e besimit dhe e shpresës, do të rimëkëmbim ekonominë dhe do të punojmë për mirëqenien e çdo familjeje shqiptare”.
/a.t