Ka përfunduar me rezultatin 2-1 takimi mes 21-vjeçarëve të Shqiëprisë dhe moshatarëve të Kosovës në kuadër të eliminatoreve të europianit të kësaj grupmoshe. “Vëllazërorja” u zhvillua në “Elbasan Arena” dhe ka dhuruar një përballje të bukur mes të dyja skuadrave, që krijuan momente shënimi dhe shfaqën dëshirë dhe grintë në fushën e lojës.
Emocionet më të mëdha janë ruajtur për fundin e takimit. Shqipëria kalon në epërsi në minutën e 76-të, ku Tafa shfaqet aty ku duhet në zhvillimet e një goditjeje dënimi dhe me një gjuajtje të saktë thyen portierin Smakiqi. Pa kaluar ende 5 minuta dyfishojnë kuqezinjtë me Muçollin, që shënon falë këmbënguljes së tij dhe hutimit të prapavijës dardane.
Kosova do të shkurtojë shifrat në minutën e 89-të pas një goditjeje të bukur me kokë nga ana e Baftiun, që kërcen më lart se të gjithë në harkimin nga këndorja. Do të mbyllet 2-1 për Shqipërinë, që ngjitet në kuotën e 5 pikëve, ndërsa Kosova mbetet me 6 pikë në grupin tre kualifikues.