Mundësia për të vazhduar ta lexojmë Gëten, pa rënë në kurthet që mund të ngre Mefistofeli, është e barabartë me çdo shans që profili politik i Albin Kurtit e shndërron në aksion për të ndryshuar komplet stilin e politikbërjes në Kosovë. Prandaj të ëndërrojmë si Gëte e të refuzojmë të mendojmë dhe veprojmë si Mefistofeli, sepse po hyjmë në epokën e Albin Kurtit, në akademinë e tij ku fotokopjet e shkollave politike i kanë shndërruar në skrap.
Nga Emin AZEMI
Albin Kurti nuk vjen nga shkollat aktuale politike të Kosovës. Ai është një ‘sui generis’. Një model i pakopjueshëm bashkëveprimi në mes të intelektit dhe guximit, në mes të etikës dhe përgjegjësisë. I ndodhur diku në kufirin që ndanë mendësinë politike që prodhoi ‘rugovizmin’ nga refuzimi i nënshtrimit që prodhoi UÇK-në, Albin Kurti, ndonëse i etabluar për një kohë pranë ‘institucionit Adem Demaçi’, megjithatë, më tepër u frymëzua nga teoria politike e Ukshin Hotit dhe doktrina revolucionare e Hasan Prishtinës.
Sido që të jetë, Demaçi për të ishte ‘totemi’ urban i Prishtinës që ndante skemën mentale publike të fundviteve të nëntëdhjeta midis atyre që rrezikonin jetën pritave për të hequr qafe ndonjë uniformë serbe, dhe atyre që nën avujt e makiatos rrëfenin prajshëm për refuzimin estetik të Rugovës.
Albin Kurti vjen nga fryma e padëgjueshmërisë studentore, për t’u shndërruar në opozitar jetëgjatë kundrejt gjithë sistemeve që deformonin hierarkinë pozitive të vlerave. Ai është shembëlltyra e anististemit kosovar, kurs opozitarizmin e tij, si imazh dhe si diskurs, afër mendsh që do ta hasni edhe për një kohë të shkurtër në krye të Qeverisë. Por jo gjatë.
Një plak madje gjatë fushatës zgjedhore e kishte lutur kryetarin e LVV që të mos e lëshonte frontin opozitar, sepse do ta merrte malli ta shihte Albin Kurtin e protestave dhe rebelimeve politike nëpër institucionet e vendit. Shkurt e shqip, Kosovës do ti mungojë një kohë të gjatë karizma e djaloshit opozitar që për disa vite me radhë integroi në frymën politike algoritmin e mosnënshtrimit. Mjerë ata që do të tentojnë ta imitojnë.
Skepticizmi i tepruar dhe mosbesimi ndaj Albin Kurtit, i hasur nëpër disa shkolla të deplasuar të mendimit publik në Prishtinë e Tiranë, burimin e ka te refuzimi për të kuptuar se Kosova din dhe mund të lindë një politikan që paraqet model në vetvete, i cili nuk ka pasur nevojë të anëtarësohet në ndonjë parti për të përvetësuar zejen e politikës. Nga kush të mësonte?! Ai këtë zeje e mësoi duke lexuar me vëmendje ritmin e humbur të politikave pararendëse dhe cingërimen e kambanave për proceset që duhet të vinë, prandaj do të duhej të marrin fund retorikat shpresëhumbëse të stilit ‘këtë e kemi dëgjuar edhe më herët’, sa herë që Albin Kurti premton diçka, që të tjerëve, ose iu duket deja vu, ose e paarritshme, ose qesharake, siç pretendon Vuçiqi teksa refuzon ta komentoj idenë e tij për reciprocitet në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Albin Kurti, si imazh, si ide dhe si veprim, ishte gjatë kohë i pranishëm në kujtesën e njerëzve. Kjo bashkëjetesë e Kurtit me ndërgjegjen kolektive të kosovarëve, ishte projektuar në kushte gati të jashtëzakonshme, gjithmonë me koston e lartë të anatemimit dhe refuzimit që injektohej nga makineria e pazargjinjëve mediatik, madje edhe e disave që tash iu kanë ngjitur Kurtit atje dikund ku përfundon kurrizi dhe fillon ‘deponia’ e pazareve të reja. Paraqitja e Kurtit si ‘antiperendimor e antiamerikan’, si ‘dhunues i institucioneve të shtetit’, si ‘ekstremist i majt’, si ‘islamist’, si ‘armik i shtetësisë së Kosovës dhe simboleve të saj’ etj. etj. ka kushtuar si propagandë më shumë se të gjitha fushatat bashkë kundër korrupsionit e nepotizmit. Sikur pazargjinjtë mediatik të Prishtinës, përfshi edhe këta që e kanë kaluar pragun e katarsisit moral, të ishin bërë bashkë në sensibilizimin e politikës për rimëkëmbjen e shëndetësisë kosovare, sot spitali i Zhan Mitrevit dhe ai Sistinës në Shkup do të ishin detyruar të mbylleshin. Vetëm një politikë e çoroditur kosovare ka mundur të prodhoj mirëqenie të dhjamosur për shëndetësinë private të një shteti fqinj. Kjo havari sistemore që ka lënë aq shumë pasoja në shëndetin e njerëzve, me Albin Kurtin merr fund.
Haxhifevzimi i diskursit publik, që Serbinë e merr si kuotë orientimi e referimi edhe për politikat e brendshme të Kosovës, në vend se të ndodhte kundërta, ka krijuar një disnivel enësh qarkulluese në hapësirën publike,që bartin, në njërën anë, ajrin e freskët që sjell fryma e Albin Kurtit në politikën kosovare dhe, në anën tjetër, limfën moçalore si lëndë e parë për të gjitha mpiksjet në kapilarët e politikave të padinjitetshme kundrejt Beogradit.
Ky haxhifevzimi miniperandorak mediatik në vend se të kishte elaboruar në detaje pasojat e rinegocimit të statusit të Kosovës me Beogradin, në tavolinat e dyshimta, përkundrazi më tepër u mor me teori konspiracioni për pasojat që mund të sjellka instalimi i Albin Kurtit në skenën zyrtare politike të Kosovës.
Në qëndrimet zyrtare të BE një kohë të gjatë kishte dominuar vlerësimi se në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, duhet përjashtuar mundësinë e ndarjes së Kosovës dhe mundësinë e rinegocimit të statusit të saj. Futja e Kosovës si temë interne e Serbisë dhe përjashtimi i saj nga fabulat tragjike për të pagjeturit dhe nga matematikat mbi reparacionin, ka qenë një nga dështimet lapidare të atyre pazargjinjëve mediatik që sot nga Albin Kurti kërkojnë të realizojnë objektiva madhorë, të cilat nuk janë arritur për një periudhë njëzetë vjeçare. Në vend se të gjenin autorët e rinegocimit të statuti të Kosovës, këta pazargjinjë kërkojnë nga Albin Kurti të na i shfaq veprat që nuk i ka shkruar ende.
Nga diskursi publik i Kosovës një kohë të gjatë ishte përjashtuar raportimi për vendet kryesore të Bashkimit Evropian, të cilat e kishin njohur Kosovën dhe i kishin paraqitur vërejtje Serbisë se rruga e saj drejt integrimeve evropiane nuk do të mbetet pa pasoja nëse Serbia insiston që të ketë rinegocim të statusit të Kosovës. Kjo kishte ndodhur sidomos në korrik të 2010-tës kur ministrat e Jashtëm të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kishin diskutuar rreth Kosovës, pas shpalljes së mendimit pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas së cilës ‘Deklarata e Pavarësisë nuk është në kundërshtim me normat e së drejtës ndërkombëtare’.
Ata që ka qenë dashur ta etablojnë këtë diskurs në realitetin mediatik të Prishtinës, janë marrë me rreziqet dhe pasojat që mund të vijnë nëse Albin Kurti ngjitet në pushtet, bashkë me ‘miqtë’ e tij nga Rusia, Irani, Kamboxha, Koreja e Veriut etj. (!).
Nëse dikush ka iluzion se ardhja e Albin Kurtit në krye të politikbërjes kosovare mund të ketë efekte çudibërëse brenda natës të dr. Faustit, kjo pastaj përjashton çdo normë normale të matjeve, sidomos në parametra kohorë që dikush ka dëshirë t’i përkthejë si efekte të rrufeshme që mund të sjellë ndryshimi. Por, mundësia për të vazhduar ta lexojmë Gëten, pa rënë në kurthet që mund të ngre Mefistofeli, është e barabartë me çdo shans që profili politik i Albin Kurtit e shndërron në aksion për të ndryshuar komplet stilin e politikbërjes në Kosovë.
Prandaj të ëndërrojmë si Gëte e të refuzojmë të mendojmë dhe veprojmë si Mefistofeli, sepse po hyjmë në epokën e Albin Kurtit, në akademinë e tij ku fotokopjet e shkollave politike i kanë shndërruar në skrap.
Shkup, 12 tetor