Nga Flogert Muça
Ilir Meta ka vazhduar ditën e djeshme ‘çmendurinë’ e tij politike duke sulmuar në një media estoneze kryeministrin Rama. Pas luftës me Venecian e cila me opinionin e saj e ‘’shkarkoi’’ pak ditë më parë për shkelje të Kushtetutës e ku nga ana tjetër ky komision i cilësoi zgjedhjet e 30 qershorit si legjitime, Presidenti Meta i tërbuar nga beteja e tij e humbur për të penguar zgjedhjet, sulmon kryeministrin e vendit të tij në mediat e huaja.
Ilir Meta me intervistën e dhënë dje për median estoneze ku theksonte se ”Rama ka vështirësi për të bashkëjetuar në harmoni me demokracinë, me pluralizimin politik dhe me zgjedhjet e lira e të ndershme, por këto janë themelet për një vend”. Kjo deklaratë e tij në cilësinë e Presidentit të Republikës është një turp e një marrë që të bën të vësh duart në kokë. Presidenti, i cili presupozohet të jetë simboli i unitetit kombëtar del në mediat e huaja dhe flet larë e pa larë kundrejt kryeministrit të vendit të tij dhe të gjithë institucioneve Kushtetuese të shtetit.
Ilir Metës ‘ja kemi falur’ (edhe pse nuk i takon si President) që të bëjë politikë në Tiranë dhe brenda përbrenda vendit. Në Shqipëri është pranuar edhe Ilir Meta që edhe pse i zgjedhur President të bëjë fushatën elektorale të LSI-së, ku nga një video e dalë në media del teksa i jep një zarf një qytetari si qokë para zgjedhjeve. Por, të nxijë vendin e tij në mediat e huaja një javë para vendimit për çeljen e negociatave Shqipëri-BE, është e turpshme dhe e papranueshme.
Ilir Meta lojën e tij politike me Edi Ramën mund ta luajë brenda vendit. T’i thotë (siç ka bërë) një mijë të zeza, pasi në fund të fundit shqiptarët dinë kë zgjedhin në ditën e zgjedhjeve, siç kanë bërë deri më sot, por, kurrësesi nuk duhet çuar nëpërmend që një President që duhet të përfaqësojë unitetin e kombit, pa pikën e turpit shkon e nxjerr mllefin e tij politik ndaj kryeministrit të vendit të tij.
Sikur të mos mjaftonte Basha e Kryemadhi që nuk kanë lënë asnjë kancelari e parlament në BE pa mbushur me mllef politik për të penguar negociatat, tani çmenduria arrin kulmin, kur shkon vetë Presidenti dhe shan qeverinë e vendit të tij dhe institucionet Republikës që përfaqëson.
Por, e gjithë çmenduria e Metës që u derdh dje ne median estoneze është në fakt trguesi i qartë i hallit të madh që ka Meta në raport me vazhdimin e jetës së tij politike. Akti i sulmit ndaj institucioneve të vendit të tij ne mediat e huaja është vetëm episodi i fundit që tregon se atij si ka intersuar kurrë integrimi i vendit në BE (siç i vuri emrin partisë apo propagandon sot), por integrimi i interesave të tij personale në agjendën e pushtetit dhe drejtësisë së re, për të cilën bëhet e gjithë lufta opozitare.
/lexo.al