Nga Rudina Xhunga
Berati nuk është më qyteti i një mbi një dritareve, tani është bërë qyteti i një mbi një bujtinave.
Hyr në booking dhe shiko të më besosh. Nuk ka qytet tjetër në Shqipëri kaq mirë të marketizuar në tregun ndërkombëtar të hotelerisë. Dhe kaq të kërkuar. Çdo hotel është plot dhe plot vlerësime pozitive, për pastërtinë dhe mikpritjen.
Ato ndërtesat që dikur bënin kartolinën, tani bëjnë turizmin. Shtëpi mbi shtëpi, të gjithë hane, hostele, bujtina me 4, 5, 10 dhoma, ndërsa pritet hapja e hotelit me 118 dhoma, mbi Osum. Dikur universitet, i mbyllur për një vit, tani hotel, sepse qyteti e ka zbuluar se po nuk jetoi me turizëm dhe për turizmin nuk do t’ia dalë. Nëse Korça është kryeqyteti i turizmit vendas, Berati po bëhet kryeqyteti i turizmit ndërkombëtar. Banorët e kanë kapur momentin dhe pa zhurmë e reklama janë bërë pritësit e mijërave të huaj që vijnë nga gjithë bota dhe nuk ikin nga Shqipëria pa parë Beratin.
Dhe si në rrallë qytet tjetër, askush nuk i bën hije komshiut. Siç janë vënë shtëpitë një mbi një pa i marrë dritën njëra-tjetrës, ashtu dhe hotelet vendase nuk xhelozojnë kënd, por tregojnë se, sa më shumë të shtohen e zhvillohen, aq më shumë të huaj do të vijnë.
Kur ecën të Ura e Goricës, dëgjon të gjitha gjuhët. Ndërsa nga tarracat e shtëpive pritëse në muzg, të vijnë mijëra dolli në shqip. Sepse Berati është qyteti i të gjitha gjuhëve po kushdo shkon, gjuhën e rakisë, e shijon vetëm shqip.
Kur ecën në Mangalem, mbi kalldrëmet e 67-ës, mbushur me vazo lulesh që mbajnë ende erë si dikur, mjafton të shtysh një portë e gjen një histori.
Unë gjeta Liljanën që sa më pa, ndërsa xhiroja me celular hoqi çarçafët që të dukej bukur ballkoni.
Po ato çarçafë të bardhë nderur në një tarracë me lulebore që shikonte mbi Osum, përballë Goricës qenë skenografia më e bukur e një mëngjesi pe Berati, që pastaj u mbush me gliko qershie e petulla shtëpie.
Unë e kisha ngrënë mëngjesin te Muzaka, po Hani i Xheblatit më prishi mendjen e nisa nga e para.
Berati më kujton Jerusalemin, me gurët, kambanat dhe historinë. I mungon vetëm tregimi. Nëse nuk tregon, nuk je. Modestë si nga Berati, ata mijëra njerëz që e bënë qytetin, nuk flasin për veten se flet Berati për ta. Por ja që nuk është më kështu.
Kur shkoj në muzeun hebre, i vetmi në Shqipëri, fryt i punës së paçmuar të Simon Vrushos, që iku nga kjo jetë me pengun se muzeu do të mbyllej, gjej Gazmend Toskën që jeton e punon në Francë, prej 83-shit, por ka hapur katër fabrika tekstili në Berat, që punojnë për francezët.
Ai kujdeset tani për muzeun hebre, e ka bërë nga e para, i ka gjetur vend në zemër të qytetit dhe e ka çuar në vend amanetin e krijuesit të tij, që nuk kishte gjak hebre, po ama mendje hebreu ka pasur, që mblodhi në 25 vjet çdo relikte, çdo dokument, të 600 hebrenjve që shpëtoi dhe strehoi Berati nga lufta deri në ‘90-ën.
Në Berat ka shumë muze të tjera, që dëshmojnë historinë, por muzeu i hebrenjve është më i veçanti se dëshmon zemrën e qytetit. Ai është i vetmi muze dashurie në qytet.
Dhe ashtu i tillë siç është do të mbledhë hebrenjtë e Beratit, fëmijët e tyre, fëmijët e fëmijëve që do të trokasin tek ajo derë në vite, e do e gjejnë vetëm hapur, si portat e hapura të Beratit.
Ka ardhur koha e Beratit. Të tregojë historinë e tij. Qyteti i një mbi një dritareve ka 1001 histori për të treguar. (dritare.net)