Sali Berisha akuzoi Edi Ramën si pengesa kryesore për negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian. Por Berisha nuk i ka kursyer akuzat as për kreun e zyrës së OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchard.
“Ndërkombëtarët nuk kanë refuzuar. Bochardt është jashtëzakonisht i njëanësuar me Ramën, por unë nuk besoj se mund të refuzojë angazhimin e ODIHR në reformë. ODIHR nuk pranon të vijë në reformë nëse njëra palë kundërshton.
Edi Rama e kundërshton ardhjen e ODIHR se dëshiron me çdo kusht të bllokojë negociatat. Nuk pyet për asgjë tjetër përveç karriges së pushtetit ekzekutiv dhe parave të tij. Nëse do të ishte serioz ky, Gjykatat Kushtetuese do të ishte ngritur me kohë, Gjykata e Lartë, SPAK, BKH”, – është shprehur Berisha.
Sipas ish-kryeministrit, reforma zgjedhore do të duhej të ishte lëshimi i parë që do të duhej të bënte Kryeministri ndaj opozitës në favor të integrimit të vendit dhe zgjidhjes së krizës.
“Është kusht nga më kryesorët reforma elektorale. Nuk ka kryeministër që do hapjen e negociatave që nuk i thotë opozitës shkruaje vetë dhe hajde ta votoj, mjafton të ruash standardet. Ky i thotë opozitës karroca e trenit, lësho rrugën. Lëshimi i parë në këtë krizë që duhet të bënte kryeministri ishte kjo që ai nuk e bën. Po çfarë humbet ti me reformën elektorale?”, deklaroi Berisha.