Negociatorët kubanezë dhe ata amerikanë do të takohen sërish gjatë javës së ardhshme, për të diskutuar në lidhje me rihapjen e Ambasadave në secilin prej kryeqyteteve të të dy vendeve, si pjesë e përpjekjeve për të rikthyer marrëdhëniet diplomatike.
Lajmi është bërë i ditur nga një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit, gjatë së enjtes, i cili ka shtuar se ende nuk është konfirmuar ndonjë datë për bisedimet, por ato priten të zhvillohen në Uashington.
Takimi do të fokusohet në masat praktike të nevojshme për të rihapur Ambasadën amerikane në Havana dhe Ambasadën e Kubës në Uashington, deklaroi më tej zyrtari i DASH.
Këto bisedime janë të parat, që kur Presidenti Barack Obama njoftoi më 14 Prill se kishte vendosur të hiqte Kubën nga lista amerikane e shteteve “sponsorizuese të terrorizmit”, një hap për të cilin Kuba kishte tentuar dhe këmbëngulur shumë kohë më parë, nga arritja e marrëveshjes për të rihapur ambasadat.
Obama dhe Presidenti kubanez, Raul Castro, njoftuan më 17 Dhjetor se do të punonin së bashku për të rikthyer marrëdhëniet diplomatike, të cilat Uashingtoni dhe Havana i shkëputën totalisht në vitin 1961, dy vite pasi vëllai i Raulit, Fidel Castro erdhi në pushtet dhe nisi të implementonte regjimin komunist./TCH