Nga Bajram Peçi
Në familjen tonë ishim tre vëllezër, që kishim zgjedhur të ishim “kundërshtarë” në futboll. E kishim luajtur të tre këtë lojë në katër fushat e minifushat e lagjes Kombinat. I madhi ishte tifoz me Partizanin; vëllai tjetër ishte tifoz me Dinamon dhe unë tifoz me ekipin e Tiranës, madje rasti e deshi të bëhem edhe anëtar i Kryesisë së klubit për 11 vjet dhe përgjegjës i ekipit të futbollit për gjashtë vjet. Në kohën tonë futbolli dhe ndeshjet “Derbi” ishin festë. “Ziheshim” e grindeshim me njëri-tjetrin para dhe pas ndeshjes, me raste edhe me ndonjë gotë birrë përpara, por kurrë nuk kalohej në fyerje ose përbuzje të ekipit kundërshtar. Si ne, edhe brezi im ngjashëm e ushtruan futbollin si amatorë, e ndoqën si spektatorë, e duartrokitën, brohoritën për fitoret, u dëshpëruan për humbjen, respektuan lojën dhe lojtarin, i cili kish vërtet status të veçantë në shoqëri. Kaq fituan ai brez i shkëlqyer futbollistësh, të ishin të respektuar! As që bëhej fjalë se në fushat e futbollit mund të ngjanin ato që i ndodhën futbollit në vitet 1997 e 1998 ose ato që ndodhën mbrëmë në prag ndeshjen mes Tiranës dhe Partizanit. Rrahje masive, shpalosje banderola urrejtjesh dhe organizatorë të pafuqishëm për të parandaluar ose për ta shtyrë takimin, deri në vendimmarrjen nga Federata.
Kësaj ngjarje i parapriu ditë përpara prononcimi i një zyrtari të Federatës për stadiumin kombëtar të ribërë. Njerzit që e shohin veten mbi të tjerët, për shkak të pushtetit, nuk janë gjithnjë të parrezikshëm. Ata kanë aq zotësi sa të thonë aq sa duhet për të fyer! Çdo ndjekës shqiptar i sportit popullor të futbollit, shumica dërmuese hallexhinj, po t’i thuash se ky sport dhe impiantet sportive të ndërtuara për t’u luajtur e për t’u ndjekur futbollin, nuk janë për ta, nuk u përkasin atyre, natyrisht që janë e ndjehen të fyer. Ai që e tha mbase u nxitua, por nuk doli të kërkojë ndjesë, ndërsa Federata heshti, sikur të mos kishte të bënte me të.
Mirëpo futbolli lindi dhe u zhvillua si lojë e hallexhinjve, e të varfërve. Në Angli luhej kriketi, golfi e tenisi, por asnjërës prej këtyre lojrave nuk mund t’u afrohej fukaraja. Ushtrimi i tyre kërkonte impiante e terrene, bazë materiale e investime, që ua kufizonin mundësinë. Kështu lindi futbolli si lojë për të varfërit, të cilëve u mjaftonte një copë fushë e një top (lëkurë apo leckë). Minatorët krijuan skuadrën e qymyrxhinjve dhe filluan të ndesheshin në vitin 1863 me skuadrën e topoçinjve, deri kur kjo lojë u shndërrua në shumë qytete si fe e përfshiu shumicën e shteteve.
Ngjashëm ka ndodhur edhe në Shqipëri. Në fushat e lagjeve fillim shekulli i 20-të pati të pranishëm lojën e futbollit. Është shkruar se ka filluar në Shkodër në vitin 1913, por duke shfletuar në shtypin periodik të vitit 1911, kam gjetur organizimin e një kampionati të organizuat në Fier nga data 7 deri 12 prill 1911, me pjesëmarrjen e 8 skuadrave: Tirana, Peqini, që luajtën finalen dhe Elbasani, Vlora, Kavaja, Lushnja, Berati dhe Fieri. Shihni pra, se sa e vjetër është tradita e ushtrimit nga rinia e këtij sporti!
Fushat e futbollit i ngritën djemtë e lagjes. Bashkitë, deri në vitin 1930, as që merreshin me këtë lojën top e këmbë. Vijnë më tej edhe takimet e para miqësore ndërkombëtare: në vitin 1922 luan Vllaznia me ushtrinë italiane dhe Tirana me Cerna Goracin e Podgoricës, Skënderbeu me Manastirin, në 1927 Atdheu Durrës me Marinën angleze, etj. Sporti i hallexhinjve, futbolli, mbahej e përhapej nga pasioni sportiv. Pa stadium, por me fusha të rrethuara me gardh, pa uniforma, pa automjete udhëtimi, çdo gjë përballohej nga ndihma të sportdashësve. Vetëm Shallvarja e Tiranës pati 4-5 rradhë ndënjse-tribunë me dërrasa. U luaj në kushte të vështira, deri kur një ditë u bë e pamundur finaciarisht të zhvillohej kampionati Kombëtar. Kështu, në vitin 1935 kampionati i VI-të u ndërpre, nuk u zhvillua, për të rifilluar në vitin 1936.
Ndeshjet e futbollit ishin nga të paktat kënaqësi që merrte populli. E përfytyroni dot, që të luhej jo një ndeshje derbi, Partizani-Dinamo apo Tirana-Partizani, por një takim si Tirana-Lokomotiva dhe në stadium të ishin 14-15 mijë spektatorë? Sot, këto shifra ska të ngjarë të ndodhin, të preken, madje as dhe të ëndërrohen. Ndodhte kështu sepse sporti i futbollit ishte popullor, u përkiste të gjithve. Tani, jo më, sa për shkak të çmimi të biletës, aq dhe për humbjen e cilësisë së tij! Çfarë po ngjet me futbollin?! Në Europë dihet se tani skuadrat cilësore ngrihen si zotërime të naftës, si prona të multimiliarderve të petrodollarit apo produkteve të tjera. Ekipi që ka si pronar më pasanikun, investuesin me para të thata për futje në tregun e futbollistëve, ka gjasa të marri titullin. Rastësia kalon përmes kësaj domosdoshmërie (siç ngjau me Leicesterin). Në shtete si ky yni,futbolli ka gjithë tiparet e të qenit biznes. Themi “Ekipi kuksian”, por atje nuk luan asnjë futbollist nga Kukësi; themi “Ekipi i kryeqytetit”, (Tirana apo Partizani qoftë) por në to zotrojnë lojtarët me origjinë nga Afrika.Presidentët e ekipeve të futbollit, investimin Konkurrues të skuadrës e bëjnë jo për qejf, por për fitim. Edhe nëse synojnë titullin kampion, kjo ska lidhje me nderin e lavdet që do i thurren qytetit, por me fitimin që rrjedh e parashikohet nga suksesi. Gjithsesi duhet t’i falënderojmë që ende e mbajnë gjysëmthesin bosh në këmbë!