Nga Iv Kaloçi
Memorie.al publikon raportin sekret të Sigurimit të Shtetit i realizuar nëpërmjet Drejtorisë së Zbulimit pranë Ministrisë së Punëve të Jashtëme, (Drejtoria e V-të) i cili mban datën 15 maj 1972, ku agjentët e shërbimit të fshehtë, survejuan, përgjuan dhe inçizuan (me teknikë operative) të gjitha bisedat e aktorit të famshëm shqiptar nga Kosova, Bekim Fehmiu, gjatë periudhës tre javore që ai qëndroi në Shqipëri. Çfarë thoshte aktori i famshëm për Kosovën, Jugosllavinë, Tiranën, Prishtinën, Josif Broz Titon dhe Enver Hoxhën e bisedat e tjera që ai bëri me personalietet e artit e kulturës gjatë takimeve me ta…
Në pjesën e parë të këtij shkrimi të botuar në numrin e djeshëm, lidhur me vizitën e aktorit të famshëm Bekim Fehmiu në Shqipëri në vitin 1972, u njohëm me raportin e shkurtër të Sektorit të Kulturës të Komitetit Qëndror të PPSH-së të shkruar nga J. Mato e F. Hobdari, si dhe një pjesë të raportit të Sigurimit të Shtetit, të realizuar nga Drejtoria e V-të e Ministrisë së Jashtëme (Drejtoria e Zbulimit me Jashtë) ku në disa faqe të daktilografuara, jepet një përmbledhje mendimeve të tij dhe e bisedave që ai pati me të gjithë ata që u takua gjatë periudhes afro tre javore që ai qëndroi në Shqipëri. Në pjesën e dytë që po botojmë më poshtë në këtë shkrim, do njihemi me vazhdimin e raportit të Sigurimit të Shtetit dhe një pjesë nga libri me kujtime i Bekim Fehmiut me titull “Shkëlqim dhe tmerr” të botuar në Beograd ne vitin 2002 dhe të përkthyer në shqip nga diplomat i karrierës, Xhelal Fejza.
vijon nga numri i kaluar
Raporti i Sigurimit të Shtetit për Bekim Fehmiun
1.Për sa i përket qëndrimit të serbëve ndaj Kosovës, ai kish një urrejtje të madhe për të gjithë trajtimin që u është bërë kosovarëve, burgosjen e të jatit etj, nga serbofilët. Bekim Fehmiu tregoi mjaft raste të formave të ndryshme provokime dhe vrasjesh në mas të familjeve të tëra kosovare nga serbët.
“Njerzit e qeverisë, tha ai, lajmëronin se ata që duan të kthehen në Shqipëri, le të regjistrohen. Gjendeshin plot njerz patriot dhe njëkohësisht naivë, që binin në këtë kurth. Familjet e regjistruara i merrin veç e veç me kamion dhe ato zhdukeshin”.
Duhet pranuar se ai ushqen iluzion për Titon dhe reformat e tij të fundit duke ja atribura çdo të keqe a gabim lidhur me Kosovën, Rankoviçit dhe pasuesëve të tij. Kurse simbas tij nuk ka patur dijeni dhe Pleniumi i IV-të deri diku i rregulloi punët. Nga përshtypjet e këtyre ditëve, deri diku mund të mendohet se po të ketë një informim më të mirë, është i prirur që të kuptojë drejt kontraditat ideologjike. Në biseda të ndryshme në rreth shumë të ngushte njerzish, përdornin si argument vetëm faktet që tregonte ai, Bekimi tha; sigurisht gjithë këto gjana nuk mund të jenë ba pa dorën e tij (Titos) …dihet ajo se “peshku qelbet nga koka”.
III. Bekim Fehmiu kishte mendimin se Ansambli ynë duhet të shkojë patjetër në Jugosllavi dhe të japë shfaqje kudo, se është një ansambël i mrekullueshëm. Ai kishte dijeni lidhur me marrëveshjet kulturale midis vëndit tonë dhe Jugosllavisë. (me sa duket këtë ja kishin thënë në ambasadën jugosllave, ku shkoi dy herë gjatë kohës që qëndroi këtu).
Për çështjen e marrëveshjes kishte mendimin se, pavarësisht se pala jugosllave nuk ishte dakort që në marrëveshje të theksohej çështja e Kosovës, do të ishte mirë që të ishte nënshkruar dhe pastaj të gjendeshin mënyra me zgjuarsi për të ndihmuar Kosovën. (këtë mendim e ka shfaqur në bisedat me shokët J. Mato. K. Obdari. E. Oktrova, dhe T. Bozo).
2.I dëshiruar për emrin e mirë të Shqipërisë në të gjithë botën, mendon se ne duhet të çajmë më filmat dhe artin tonë në Europë. Për këtë ai u shpreh: “Europa do të dijë për Shqipërinë, prandaj duhet të çani me guxim me filmat tuaj. Mendimi se filmat tuaj janë të mirë nuk është vetëm i imi, por edhe i kolegëve të tjerë”……”Më ka imponuar thjeshtësia e temave dhe trajtimi i tyne”….”Duhet të keni kujdes çështjen e ndërtimit dramaturgjik dhe të skenarit”…. ”Filmat të kenë më shumë ritën dhe dinamizëm”…. ”Mendoj që filmat duhen të largohen sa më shumë nga pllakataizmi dhe agjitacioni, të jenë sa më jetësorë dhe emocionalë”.
3.Gëzohej kur shikonte në muzeumet tona që pasqyrohej lufta dhe historiku i Kosovës, por mendonte: “Dhe ky nuk është vetëm mendimi im, thosh-që duhet t’i jepet më tepër vënd propagandimit të historisë dhe Kulturës së Kosovës, sepse kjo do të na gëzonte së tepërmi”. Nga ana tjetër çmonte kujdesin tonë për të ruajtur Kosovën dhe kosovarët, kujdesin për të mos i dhënë shkas, shpërthimit të ndjenjave dhe persekutimeve nga ana e shovinistëve serbë.
Ai shpreht një farë dyshimi lidhur me përkrahjen dhe lirinë që i është dhënë Kosovës, sepse thoshte ai: “serbët gjithmonë kanë qenë dinakë”.
4.Bekim Fehmiu mendon se për të mirën e teatrit dhe artit Kosovar, do të ishte e nevojshme të vinin për studime në Institutin e Arteve, 4-5 studentë kosovarë. Kjo do t’i paiste ata me kulturë e disipline të vërtetë pune.
5.Gjatë vizitës në Krujë, në përgjithësi mbeti shumë i kënaqur, por pati vërejtje lidhur me ndërtimet e reja të cilat janë krejt në kundërshtim me stilin e ndërtimeve të këtij qyteti muze. Veçanërisht pati vërejtje lidhur me arkitekturën e Muzeut të Skënderbeut që është ngritur në kala.
6.Duke udhëtuar nëpër Shqipëri i bëri përshtypje jo të mirë, dhe këtë e shprehu sinqerisht, fakti se nëpër fusha punonin kryesisht gratë dhe vetëm pak burra.
7.Ishte i etur të shikonte që në çdo qytet të valviteshin sa më shumë flamurë kombëtarë. Veçanërisht, tha: flamurë duhet të valëviten në Kalanë e Krujës, në Gjirokastër, në Tiranë, etj. Prandaj kur vajti në Vlorën e zbukuruar me flamuj të shumë kombëtarë me rastin e festës, u kënaq pa masë. “…Tani po më ngopet syri dhe zemra dhe po e ndjej vehten tamam në Shqipëri”.
8.Në çdo bisedë tregohej i gatshëm për të luajtur në ekranin dhe filmat tanë, por nuk jepte përgjigjie për vepra konkrete. Kjo ndoshta se nuk e njeh literaturën tonë pas çlirimit. (Kur u largua ju dhuruan disa libra si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Përsëri në këmbë”, “Kështjella”, etj. Nga biseda rezultoj se ëndrra e tij ishte të luaj në film, rolin e Skënderbeut.
9.Tha se nëna dhe motra e tij kanë kërkuar që të vijnë në Shqipëri, por ai shprehu shqetësimin nëse do t’i dalë shpejt viza ose jo. Mbasi “nënën e kam plakë” -thoshte- dhe ajo nuk dëshiron të vdesi pa e parë njëherë nënën Shqipëri”.
10.Bekim Fehmiu shprehu dëshirën që të punonte vullnetarisht një ditë në aksion me goditje të përqëndruar (dhe theksoi; gjithë ditën).
11.Në bisedën që pati me punonjësit e teatrit mbas shikimit të provave të dramës “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, natën e fundit pera nisjes ai tha: “…Më bëhet zemra mal që jam midis jush”, pastaj mbasi bëri disa vërejtje profesionale dhe shfaqi dëshirën që të luaj së bashku me aktorët tanë, përfundoi: “Në këtë zëmrën time të vogël, do të mundohem t’u përfshij të gjithëve”.
Tiranë, më 15 maj 1972
Drejtoria e V-të e Ministrisë së Punëve të Jashtëme
……………………………………………………………………………………………………………
Pasazhe nga libri me kujtime “Shkëlqim dhe tmerr” i botuar në tetorin e vitit 2012 në Beograd dhe përkthyer nga Xhelal Fejza
Bekim Fehmiu: Rrëfimet në vetën të parë
Java e filmit shqiptar. I ftuar….. Mbahej për herë të parë “Java e filmit shqiptar” në Beograd në Shtëpinë e Rinisë. Mezi arrita të shoh fundin e projektimit të njërit prej filmave. Takoj Abdurrahman Shalën, regjisorin e ri Besim Sahatçiu… Më njohën me dy regjisorë të rinj nga Shqipëria, Piro Milkani dhe Dhimitër Anagnosti. – A do të kishit ardhur tek ne si i ftuar? – më pyet Dhimitri, ai shtatshkurtri me tipare të zeza, i cili studimet e kameras dhe të regjisë i kishte kryer në Leningrad dhe në Moskë. – Me shumë dëshirë, nëse më ftoni! Atelie 212. Jam i ulur në bufe me kolegët. Hyn Borisllav Mihajlloviç- Mihizi, një nga intelektualët më të mëdhenj të vendit. “Dëgjova se do të shkosh në Shqipëri. Atje jeton një shkrimtar i madh. Quhet Ismail Kadare. Ka shkruar një roman të mrekullueshëm, ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’. Shiko nëse mund të ma sjellësh”. Erdhi ftesa që të jem i ftuar i “Kinostudios” . Ditë e zymtë. Udhëtova me atë karakatinën e JAT-it. Nga avioni mund të shihet plani urbanistik i Tiranës të projektuar në mënyrë të tillë që të mund të ndjekë rendin e fjalëve “Duçe” (kështu është quajtur Musolini). Aerodromi? Tipik për një vend të vogël dhe të varfër. Për herë të parë në Tiranë. Procedura me kufitarët e ashpër dhe me doganierët, të cilët ngjasin me aerodromin, shkoi pa vështirësi, sepse më prisnin Dhimitër Anagnosti dhe Pirro Milkani si dhe drejtori i “Kinostudios”. – A flisni shqip? A njihni njeri në Shqipëri që do të dëshironit të takonit? Më ndihmuan të sistemoj valixhen time të udhëtimit në bagazhin e automjetit tip “Lada”. Gjatë udhëtimit për në Tiranë, drejtori më pyet përsëri. – A keni ndonjë dëshirë që do të mund t’ua plotësonim sa jeni në Shqipëri? – Kam dy. E para, t’i përcjell përshëndetjet më të përzemërta nga ana e nënës sime, bashkëshortes së Bajram Currit, Dervishe Hanëmit. E dyta, të shoh dashurinë time të parë. U stepën. – Ju keni një dashuri të parë në Shqipëri? Si quhet? Prej nga është? – Nga Shkodra. Quhet Bukuroshe Tahiri. Ka një vëlla, i cili quhet Riza dhe një motër me emrin Safete. – Mirë! Do të shohim! Më sistemuan në hotel “Dajti” në qendër të qytetit. Më pëlqeu heshtja, pa atë zhurmën e qarkullimit të automjeteve, vetëm ndonjë biçikletë. Tirana duket e bukur. Bulevarde të gjëra, me shumë lule, me pemë anash… Monumenti i Gjergj Kastriotit dominon tërë qendrën. Mikpritësit kishin organizuar shfaqjen e filmit “Odiseja”. Salla e kinemasë e mbushur plot e përplot me të ftuar të përzgjedhur. Duartrokitje dhe pritje njëlloj sikur presin një njeriun e tyre. Me krenari, me gëzim, me ngrohtësi. Filluan vizitat zyrtare. Në Lidhjen e Shkrimtarëve, krahas me të tjerët, njihem me Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin… Ismail Kadareja, intelektual tipik, me syze me skelet metalik, duke dalë më thotë: – Do të doja t’ju dhuroj romanin tim “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, por kam vetëm versionin në gjuhën frënge. – Do të më bëhej shumë qejfi – Më dhuroi bestsellerin e tij me dedikim. Vizitova Akademinë e Arteve. “Kinostudion”. Biseda të thjeshta. Pyetjet, profesionale. Ndjehet kërshëria e tyre, dëshira për të ditur sa më shumë. Pyetjet i bëjnë të përzgjedhurit. Jashtë në rrugë më drejtohet një djalosh me trup atleti, me sy të zinj dhe të mëdhenj, me flokë të zinj të dendur: “A mund të më jepni një autograf? Unë jam student i vitit të tretë të Akademisë së teatrit. Quhem Timo Flloko. Kam një motër në Jugosllavi. Njerëzit e mi janë nga Peja…” Ata që më shoqëronin ma bënin me shenjë që të nxitoja. – Ju do të jeni Omar Sharifi shqiptar! – i them djaloshit kur u ndamë.
Durrësi
Durrësi. Teatri. Në hyrje, busti i Aleksandër Moisiut. Marr pjesë për herë të parë në një koncert me këngë e valle . Zëra madhështorë, të shkolluar. Bukuria e atyre valleve të ngadalta për nga ritmi, por dinjitoze dhe, menjëherë më pas shumë të gjalla. Valltarët e veshur me kostume popullore shumëngjyrëshe. Jam i emocionuar, thuajse më zihet fryma dhe jam shumë krenar që po më jepet rasti të shoh këtë bukuri. Më shpunë të njihem me anëtarët e Ansamblit. I përgëzoj dhe i falënderoj që më bënë të përjetoj këtë ndjesi të paharrueshme. Nuk e kisha ditur se në Durrës kishte një amfiteatër, madje edhe i madh sa ai i Koloseut romak. Është zbuluar vetëm një e treta. Shoqëruesit më takuan me arkeologun amator. Dridhet nga emocioni, duke më treguar një varëse të hollë prej ari, ku ishte varur në figurë në formën e gjethes së duhanit. Dridhet sa herë që e prek. Çfarë thesari! Thesar i vërtetë kulturor, shpirtëror. Me sugjerimin e atyre që më shoqëronin, më dhuroi si pa qejf, një kopje të Afërditës të shekullit IV-V p.e.s.
Kruja
Vendlindja e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Cili është ky gjeni, i cili arriti që për një çerek shekulli të ndalë fuqinë e pandalshme të Perandorisë Osmane dhe të mos e lejojë depërtimin e saj drejt Perëndimit. Kalaja e Skënderbeut, e cila dominon në tërë kodrën e qytetit, është e rikonstruktuar nga disa pjesë të saj të shekullit XIV. – Përse përkrenarja e Skënderbeut ka një kokë dhie? – e pyes ciceronin e muzeut. – Gjatë një beteje Skënderbeu lidhi pishtarë pishe në brirët e dhive, të cilat pastaj i lëshoi para ushtrisë së tij. Turqit u frikësuan “nga kjo ushtri e madhe që po vinte drejt tyre” dhe u tërhoqën. Në shenjë përkujtimi për këtë betejë ai e zbukuroi përkrenaren e tij me kokën e dhisë me brirë. Sapo hymë në kështjellë, e pyes: “Përse keni ndërtuar një muze prej alumini e qelqi në një ambient të rrethuar me gurë qindravjeçarë? Keni futur Amerikën në kështjellë.
Në Shkodër
Shkodër. Qytetin nga i cili kam disa kujtime të gjalla, nuk e njoha fare. Hoteli? Një ndërtesë njëkatëshe, një shtëpi e bukur me çardak, oborr dhe bahçe. Më kujtoi shtëpinë e Shaip Pashës në Prizren. Më shpunë tek një zonjë e vjetër, e veja e Bajram Currit, e cila më priste. Shtëpia e saj mbushur me kushërinj dhe miq të ftuar. Dervishe Hanëmi, e dashur dhe e ngrohtë, qëndronte ulur në minder. Në mur, sipër kokës së saj, fotografia e të shoqit. Iu afrova dhe i putha dorën. – Hedija, gruaja e Ibrahim Fehmiut, së bashku me fëmijët e saj ju dërgojmë përshëndetjet e tyre të përzemërta dhe mu lutën t’ju përqafoj. Fytyra e saj ndriste si shenjtëreshë. Përqafimi i saj, i butë dhe erëmirë, tamam si prej plake. Më uli afër vetes, duke më mbajtur dorën ndërmjet duarve të saj. Cili je ti? – më tha. Ai më i vogli, Bekimi, i thashë. Më pyeti për Dijen dhe të gjithë të tjerët emër për emër. E rrëmbyen kujtimet për të shoqin, për babain tim, e në mënyrë të veçantë për Dijen dhe ato kohë të stuhishme. Fytyrat e të pranishmëve si të përskuqura. Kur u ndamë, bëmë një fotografi për kujtim. Ditë e re. Dolëm për të bërë një shëtitje nëpër Shkodër. Shkodra është e pastër si të gjitha qytetet . Duke shëtitur na afroheshin njerëz. Turma që na shoqëronte po bëhej gjithnjë e më e madhe… – Çfarë është bërë me dashurinë time të parë, Bukuroshen? – Për fat të keq nuk arritëm ta gjenim. Nuk ka në Shkodër ndonjë familje me mbiemrin Tahiri. Duke ecur, vura re dy rrathë të përkryer: njëri me perimetër më të madh dhe tjetri më i vogël brenda tij.
Parada e 1 Majit
Shokët më thonë se duhet të jem i pranishëm në tribunën ku do të jetë edhe Enver Hoxha. Më pyesin nëse pranoj, duke pasur parasysh se mund të kem probleme në vendin ku jetoj. 1 Maji i vitit 1972. Në tribunën para hotel “Dajtit”, ja ku jam edhe unë në rreshtin e parë, i rrethuar nga qindra kinezë të veshur me rroba doku dhe të kopsitura deri në grykë. Nga ana ime e majtë, rreth njëzet metra, Enver Hoxha përshëndet me dorë ata që parakalojnë. Parakaloi edhe ushtria me uniforma ngjyrë kaki dhe e “armatosur” me automatikë. Qëndrimi i tyre ushtarak, rreshtat, nuk më pëlqyen. Përkundrazi. Fytyrën e Enver Hoxhës nuk arrita ta shoh. Dita e fundit. Teksa shëtisim nëpër bulevard, shokët më flasin për konfliktin dhe ndarjen me Hrushovin dhe BRSS-në, për shkak të të cilit për pak sa nuk kishin vdekur nga uria. Kishin qenë të detyruar ta blinin me ar grurin në Kanada. – A e patë shokun Enver. Ja tek është. Vetëm dy shoqërues. E vështrova. Një zotëri i vjetër, veshur me kostum ngjyrë bezhë. Pa kravatë, borselino në kokë, duart pas kurrizit, shëtit ngadalë nëpër bulevardin e zbrazët. – Përse nuk ka ndonjë sigurim të veçantë? – Jooo! Nuk është nevoja. Nuk ka asnjë rrezik. Populli e do. Shoku Enver banon këtu. Më treguan një vilë të rrethuar me gjelbërim e lule. Hymë edhe në dy banesa private. Në banesën e parë, të mobiluar thjesht, Dhimitër Anagnosti më njeh me të shoqen, një artiste bukuroshe. Miku i familjes sonë, Ramadan Sokoli, të cilin nuk e njihja, një intelektual i jashtëzakonshëm dhe i cili nuk ishte fort i dashur për regjimin, më dhuroi shiritat e magnetofonit me regjistrime të monologëve të Aleksandër Moisiut. Çfarë dhurate!
Memorie.al