Nga Mustafa Nano
Kryeministri Rama ndodhet në New York, dhe prej andej ka dërguar disa foto, mes të cilave bie në sy fotoja ku ai, tok me të shoqen, ka dalë me çiftin Trump.
Një foto e tillë është pa asnjë domethënie, në fakt, s’ka gjë se është një dëshirë për t’u kuptuar për të pozuar me Trumpin. E kanë shumë kryeqeveritarë këtë dëshirë. Dhe Trumpi nuk ua prish. Sepse nuk i kushton asgjë. E shumta i duhet të bëjë një sforcim për të buzëqeshur. Dhe i duhet të harxhojë njëzet sekonda për një foto.
Thuhet edhe që paguhet për të bërë një foto me të. Kështu që nuk duhet ta përjashtojmë rastin që Rama të ketë paguar për atë foto. Herë të tjera kështu ka ndodhur.
Bashës, në foton e fundit që bëri me Trumpin, i është dashur të paguajë. Nuk është se paguhet Trumpi, të kuptohemi. Paguhen lobistët që e bëjnë të mundur këtë foto. Ata paguhen më shumë kur bëjnë të mundur takime. Por takim me Trumpin nuk ka patur.
Rama e shiti foton si një takim të tijin me Trumpin, megjithatë. Madje, e përshkruajti këtë takim. “Patëm një bisedë të shkurtër, por të këndshme e të mjaftueshme për të kuptuar se marrëdhëniet janë të shkëlqyera”, tha Rama. Po çfarë u bisedua në atë takim të shkurtër?
Rama nuk na dha detaje, por na tha sidoqoftë, se Trumpi i paska thënë, që Albania is doing pretty good. Po tjetër çfarë mund të jetë biseduar? Sepse në një bisedë të shkurtër duhet të jetë biseduar më shumë sesa kaq. Ndryshe, nuk i bie që të ketë qenë bisedë.
Përkundrazi, i bie të ketë qenë një njatjetim i thjeshtë. Nëse ne i themi njëri tjetrit në rrugë apo në një holl apo në një korridor “ç’kemi”, kjo nuk quhet bisedë. Kjo quhet njatjetim. Dhe është kjo që i ka ndodhur Ramës në New York. I ka thënë njatjeta Trumpit, teksa kanë qenë gati për të dalë në fotografi.
Dhe Trumpi ia ka kthyer. Njatjeta i ka thënë edhe ai. E ndërkohë, që fotografi mund të jetë vonuar ca sekonda, për të vrarë heshtjen, Trumpi mund t’i ketë thënë që Shqipëria po ecën mirë. Ka qenë një frazë mirësjelljeje. Kaq. Asgjë më shumë.
Prandaj, zhurma mbi një takim të Ramës me Trumpin është e rreme. Dhe burimi i kësaj zhurme është Rama vetë. Ai duhet të na i kishte kursyer këtë fakenews. Fotografia është e vërtetë, ndërsa takimi është gënjeshtër.
Por as fotografia nuk përbën lajm. Sepse të gjithë e dimë se si e për se bëhen fotografi të tilla. E prandaj, as atë fotografinë nuk ka pse të na i dërgojë si sukses të vizitës në OKB.
Është thjesht një fotografi. E cila do t’i vlejë Ramës për ta futur në një kornizë e për ta varur në shtëpi a në zyrë. Vlerë tjetër ajo fotografi nuk ka.