Problemet në fushën e farmaceutikës në Kosovë janë të mëdha. Mungesa e barnave të regjistruara në tregun farmaceutik është njëra nga problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët.
Zyrtarë nga Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale, kanë bërë të ditur se aktualisht mbi 700 molekula në rreth 3 mijë forma farmaceutike janë të regjistruara në Kosovë. Por pacientët po përballen me mungesë të barnave që i përdorin si terapi ditore.
Një qytetare e cila deshi të mbetej anonime (emri i njohur për redaksinë), përdor ilaçin Zigabal, ilaç që përdoret për sulme epileptike.
Ajo thotë se në asnjë barnatore në Kosovë, nuk ka mundur ta gjejë këtë ilaç, me pretekstin se është tërhequr nga tregu. Ajo thotë se ndërprerja e ilaçit, të cilin e quan jetik, është shumë i dëmshëm dhe i mundimshëm për të.