Pasi kanë qëndruar për një muaj në kërkim policor, tetë persona të akuzuar se kanë bashkëpunuar në vrasjen me paramendim të 26-vjeçarit, Santiago Malko, janë shpallur zyrtarisht në kërkim. Gjykata e Tiranës ka miratuar kërkesën për vendosjen e masës së sigurisë për ta dhe ia ka kaluar çështjen për kompetencë Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Fiks një muaj nga vrasja e 26-vjeçarit Santiago Malko, Prokuroria e Tiranës i është drejtuar gjykatës për të kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për tetë persona të dyshuar si të përfshirë në ekzekutimin e 26- vjeçarit.
Prokuroria ka kërkuar masën “arrest me burg” për vellezërit Leonard dhe Elis Duka , Fatmir Hyseni, Xhoni Nica, Oltian Loka, Ilir Selmani, Aleksandër Maxhaku, dhe Dritan Agaj.
Ndaj tetë personave janë ngritur akuzat e “vrasjes me paramendim”, “armëmbajtjes pa leje”, “vjedhjes”, vepra keto të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Gjithashtu gjykata ka miratuar edhe kërkesën për kalimin e çështjes për tu hetuar nga Krimet e Rënda, pasi të pandehurit dyshohen se kanë funksionuar si grup i strukturuar dhe po hetohen edhe për vepra të tjera penale.
Për identifikimin e autorëve kanë ndihmuar kamerat e sigurisë që janë sekuestruar ditën e ngjarjes, të cilat kanë fiksuar se autorët e kanë ndjekur viktimën gjatë gjithë ditës duke ndërruar tre makina.
Burimet bëjne me dije për RTV Ora se një nga tetë personat e shpallur në kërkim dyshohet të jetë ekzekutori.
Ndërkohë dyshohet se motivi i vrasjes janë konfiktet e meparshme të viktimës me të pandehurit, ku nuk përjashtohet edhe pista e trafikut të lëndëve narkotike.
Aktualisht për këtë vraje ndodhet i arrestuar vetëm Blendi Teta, i cili akuzohet për moskallëzim krimi dhe ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen.
Ekzekutimi i Santiago Malkos ndodhi mbrëmjen e 27 gushtit në afërsi të Xhamllikut në kryeqytet. /l.m