Nga Artur Ajazi
Ngjarja e shëmtuar në shkollën “Shejnaze Juka” në Shkodër, nga ku militanti i ish-opozitës së vjetër, sulmoi hapur deputeten e opozitës parlamentare Rudina Hajdari, tregoi edhe njëherë se Partia Demokratike, Lulzim Basha dhe celula e tij, nuk janë, dhe nuk do të shkëputen kurrë nga dhuna. Dhuna e tyre qëndron në oborrin e SHQUP-it, dhuna e tyre mban gjallë ndjekësit që kanë mbetur, dhuna e tyre ka sabotuar ribashkimin dhe riorganizimin e asaj partie, dhuna e tyre ka sjellë dhe po sjell dështimet dhe denigrimin e asaj force politike.
Dhuna verbale e sajuar dhe dirigjuar nga SHQUP-i edhe ndaj bijës së Heroit të Demokracisë, duket se ka fashitur gjithçka kishte mbetur për atë njeri, që u vra pabesisht para derës së PD. Lulzim Basha duket se e ka vendosur të vazhdojë represionin ndaj çdo personi, qoftë ky edhe i mandatuar si ligjvënës, thjesht për të mbajtur dhe rritur sigurinë e postit të tij. Lulzimi ka mbetur kryetar i PD-së, pa realizuar asgjë nga zero programi që ka, duke e katandisur atë parti, si objekt eksperimental në duart e militantëve që ende nuk e kuptojnë keqpërdorimin e tyre.
Ngjarja e shëmtuar (e parapërgatitur) që ndodhi në shkollën “Shejnaze Juka”, na tregoi të gjithëve se, PD-ja nuk ka në plan të ribashkohet, të integrohet në grupimin e madh të partive europianiste, por ka mbetur tek koha e Doktorit. Asokohe ndodhnin skena të tilla me fyerje, presione, dhunime dhe metoda të tjera ndaj atyre që kundërshtonin Shefin e Madh në mbledhje kryesie, Kuvende Kombëtare, apo dhe terrene të tjera, nga ku ndërseheshin xhupzinjtë, të cilët të fyenin, grushtonin, dhe nxirrnin jashtë duke ushtruar dhunë verbale dhe fizike.
Atë që PD-ja, bëri dje me Rudinën, e ka bërë vite më parë edhe me babain e saj, dhe këto janë fakte që nuk harrohen lehtë. Ish-opozita e vjetër ka vendosur të mbetet si objekt muzeal, i një kohe të shkuar. Duke refuzuar përpjekjet e faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës, Reformën Zgjedhore, uljen në tryezën e bisedimeve me shumicën qeverisës, zhgënjimet e turpshme dhe sigzaket, njëherë “Rama ik” dhe pastaj “Gjiknuri ik”, si dhe pranimi pa kushte i kushteve për bisedime nga OSBE, treguan qartë , se të merresh me ish-opozitën, është thjesht humbje kohe. E krijuar dhe drejtuar nga bajraktarizmi , ish-opozita e vjetër po shtyn muajt dhe vitet, duke prodhuar veçse kaos dhe anarshi politike dhe sociale.
Shqiptarët pas afro 30 vitesh tranzicion, e kanë provuar dhe kuptuar taktikën hileqare të një partie që i ka marrë shumë Shqipërisë, dhe pothuajse nuk i ka dhënë asgjë asaj. Gjithkush që ka ikur dhe po largohet nga ajo parti, padyshim deklaron moskthimin atje derisa në krye të saj të jetë Lulzim Basha dhe sekretarët e tij, derisa atje të vendoset liria dhe demokracia e mendimit dhe veprimit. Të mbështetesh tek dhuna, dhe të kërkosh pushtet, të mbështetesh tek dhuna dhe të kërkosh “hapjen e partisë dhe europianizimin e saj”, të mbështetesh tek dhuna dhe të kërkosh afrimin e të rinjve dhe elitës intelektuale, do të thotë njëlloj, sikur të jesh pjesë e Partisë Komuniste dhe të deklarosh se “kam program të djathtë”.