Përfaqësuesi i opozitës në konferencën për reformën zgjedhore të organizuar nga OSBE paraditen e sotme, Ivi Kaso, tha se koalicion opozitar e mbështet realizimin e kësaj reforme.
Kjo është pika e parë e qëndrimit të opozitës, e cila u bë e njohur nga sekretari demokrat për çështjet zgjedhore.
PD u shpreh sot se personat që janë subjekt i dosjes ‘339’ dhe ‘184’ janë në kushtet e konfliktit të interesit me zgjedhjet e lira e të ndershme dhe me reformën e vërtetë zgjedhore që ka nevojë vendi.
“Për këtë arsye, thuhet në qëndrimin e opozitës së bashkuar, reforma e vërtetë zgjedhore mund dhe duhet të realizohet e zbatohet vetëm nga institucione apo subjekte zgjedhore që kanë vullnet për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme”.
Në qëndrimin e saj zyrtar, opozita nuk e njeh legjitimitetin e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore.
Duke e cilësuar si një organ që nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve, pasi thuhet se ka dalë nga zgjedhjet e blera me krimin në 20017-ën, qëndrimi i opozitës për mosnjohjen e këtij komisioni është:
“Asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që duhet të ishin në burg për krime elektorale, nuk gëzon legjitimitetin për realizimin e Reformës Zgjedhore. Asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që nuk përfaqësojnë opozitën, nuk mund të përcaktojë rregullat për pjesëmarrje në zgjedhje të partive politike opozitare.”
Propozimi i opozitës për zgjidhjen e këtij problemi është ngritja e një grupi të posaçëm për reformën, që përfaqëson drejt elektoratin shqiptar, tha Kaso, në përbërje të të cilit të ketë edhe përfaqësues të partnerëve kryesorë ndërkombëtarë.
“Opozita e Bashkuar propozon që procesi të drejtohet nga një strukturë e përbërë nga përfaqësues të organizmave ndërkombëtarë (OSBE/ODIHR, BE, SHBA, etj.), një përfaqësues i Parlamentit monopartiak dhe një përfaqësues i Opozitës së Bashkuar. Produkti i dakordësuar nga kjo strukturë, pasi i nënshtrohet konsultimit me publikun, nëpërmjet formave dhe metodave që mundësojnë marrjen e mendimit të qytetarëve, miratohet pa ndryshime”, deklaroi Kaso.
Pas fjalës së mbajtur, Kaso u largua nga tryeza e thirrur nga OSBE, ku opozita jashtëparlamentare, përfaqësohet në nivel teknik.
/a.r