Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka zhvilluar një takim me sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, Pietro Parolin, derisa bëhet e ditur se i ka kërkuar që ta njohin shtetin e Kosovës.
Përmes një komunikate dërguar për media, u bë e ditur se ky takim erdhi në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Presidenti Thaçi, fillimisht, e ka falënderuar atë për mbështetjen që Selia e Shenjtë i ka dhënë popullit të Kosovës para, gjatë dhe pas luftës.
Thaçi ka shtuar se njohja formale e Kosovës nga Selia e Shenjtë do të kurorëzonte krejt angazhimin e saj për sigurimin e paqes dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë.
“Populli i Kosovës gjithmonë është udhëhequr nga vlerat e Shën Terezës, vlera të tolerancës, paqes dhe bashkëjetesës. Jemi mirënjohës për mbështetjen që Selia e Shenjtë i ka dhënë popullit të Kosovës. Krejt çfarë ka mbetur është njohja nga Vatikani”, ka shtuar presidenti Thaçi.
Thaçi e ka informuar sekretarin Parolin për harmoninë fetare në Kosovë, për bashkëjetesën ndërmjet komuniteteve, vlera mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës.
Nga ana tjetër, Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë, Pietro Parolin, ka thënë se Selia e Shenjtë është e përkushtuar për paqen, tolerancën dhe stabilitetin në Kosovë.
Para pak ditësh në Vatikan ka qëndruar presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç i cili pas takimeve me Papën dhe zyrtarët atje tha se Vatikani s’do të ndryshojë qëndrim rreth Kosovës.
g.kosovari