Pesë shkodranë kanë rënë në prangat e policisë pasi dhunuan disa emigrantë të paligjshëm që po i transportonin drejt Malit të Zi.
Ata futën emigrantët nga Lindja e Mesme në pyllin e fshatit Grudë për të shmangur policinë dhe aty i dhunuan për tu vjedhur sendet personale.
Policia informon se 5 shkodranët nuk kanë arritur t’i grabisnin dhe janë larguar duke i braktisur aty.
“Gjatë operacionit të koduar “Stroke” u arrestuan në pyllin e fshatit Grudë shkodranët: G. N., 23 vjeç, Z. P., 32 vjeç, K. N., 26 vjeç, T. M., 39 vjeç dhe A. D. 24 vjeç. Të arrestuarit e sipërpërmendur dyshohet se kanë marrë disa shtetas të huaj të vendeve të treta, me qëllim për t’i transportuar për në Mal të Zi. Gjatë rrugës për të shmangur Policinë kanë ndryshuar drejtim duke i futur në pyllin e fshatit Grudë dhe aty kanë dhunuar fizikisht, me qëllim që t’u vidhin sendet personale, por nuk kanë mundur dot dhe janë larguar,”-raportojnë uniformat blu.
Pas hetimeve u bë identifikimi dhe kapja e autorëve të dyshuar, të cilët u arrestuan për veprat penale “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe ” Vjedhja me dhunë e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim”.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 3 automjete, me të cilat dyshohet që janë transportuar emigrantët..
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.
g.kosovari