Zbulimet e kohëve të fundit nga ekspedita kërkimore shkencore e kryesuar nga drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare, relike të periudhës së Luftës së Parë Botërore, nga humbja e nëndetëses austro-hungareze SMU-16 dhe zbulimi i saj u publikuan së fundmi në Akademinë e Shkencave në Tiranë, në kuadrin e përkujtimit të 100 vjetorit të Luftës së Parë Botërore.
Realizuar në bashkëpunim me një grup ekspertësh amerikanë, ekspedita e Tares nxorri në dritë me anën e fotografive mjaft element historikë të asaj periudhe ku relike dhe koncepte si nëndetësja, aq më tepër ajo e famshme austro-hungareze SMU-16, anija “Hercules”, “Nembo”, piroskafe, si dhe disa baza ushtarake që përdoreshin u prezantuan si gjetje, nëpërmjet edhe fotove unikale të mundësuara nga koleksionistët, dhe atyre të realizuara gjatë skanimit të detit, apo robotëve.
“Reliket që përbëjnë dhe prezantojnë edhe historinë e Luftës së Parë Botërore, mundësuar nga skanimi i një teknologjie të lartë detare, tashmë janë pjesë e një fondi të një një pasurie të madhe të thesareve tona të atraksionit historik dhe turistik, trashëgimisë kulturore, trashëgimia detare, dhe pasurisë nënujore”, theksoi gjatë fjalës së prezantimit të zbulimeve, Auron Tare.
“Si pjesë e trashëgimisë nënujore dhe varrezave ushtarake të mbrojtuara nga UNESCO , e cila ndalon kategorikisht prekjen e tyre, të gjitha fotografitë e realizuara gjatë skanimit, zbulimeve dhe ato të koleksionistëve, do t’i prezantojmë së shpejti edhe me anën e një ekspozite”, theksoi Tare duke nxitur kuriozitetin e të pranishmëve në sallën “Aleks Buda”.
Sakaq duke folur dhe prezantuar nëpërmjet fotografive bazat ushtarake të kohës, rrugëtimet e kavalerisë, vendstrehimet e anijeve, ditarët e gjetur, edhe koordinatat e vendodhjes së anijes së famshme “Rexhina Margarita”, apo “Pricipe Umberto”(anija e famshme për tragjedinë ku gjetën vdekjen mbi 2000 viktima si gjeneralë madhorë, admiralë detrë të flotës, dhe mjaft oficerë madhorë), Tare kërkoi publikisht nga Ministria e Kulturë që si në botë, të ndërtohet edhe në vendin tonë një muze ku në të cilin të ekspozohen të gjitha materialet e gjetura.
ATSH