Përmes një deklarate për shtyp, Partia Demokratike dënon vendimin e Këshillit të Mandateve që vendosi që të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që do të vendosë për fatin e mandatit të deputetit Mark Frroku. Sipas partisë më të madhe të opozitës, ky akt tregon më së miri se qeveria mbron inkriminimin e parlamentit.
“Në këtë këshill sot u konfirmua këmbëngulja e dyshes Rama-Meta për të mbrojtur inkriminimin. Refuzimi i kërkesës së Partisë Demokratike për heqjen e mandatit të të zgjedhurit të Edi Ramës është dhunim i nevojës qe ka vendi për tu çliruar nga krimi, është dhunim i kërkesës së qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.“-shkruan PD në deklaratë.
Mark Frroku mungon prej më shumë se 6 muajsh në seancat plenare pas arrestimit të tij më 2 prill të këtij viti. Frroku akuzohet se ka kryer një vrasje në Belgjikë dhe ndodhet aktualisht në ambientet e burgut 302 në kryeqytet.