Nga Skënder Minxhozi/
Është lajm i vjetër sa edhe vetë mosha e pluralizmit shqiptar, që partitë tradicionale janë në krizë. Në një krizë shumëdimensionale përfaqësimi, dinjiteti, elitash, idesh, platformash dhe vullneti për të nxitur dhe ofruar dialog, në vend të luftës dhe konfliktit të përjetshëm politik.
Shkurt, partitë tona të vjetra i ka lënë koha pas dhe prej vitesh shoqëria shqiptare pyet veten (por pa bërë asgjë konkrete ajo vetë), se cila do të ishte mënyra më e mirë për t’u dhënë një mësim shembullor këtyre bejlejrëve politikë që kanë zaptuar skenën drejtuese të vendit prej kohësh që s’mbahen mend. Një mësim të tipit “duart e pastra” në Italinë e viteve ’90, ose më vonë në Francë, Greqi e Itali, ku forca të mëdha politike u spostuan nga lëvizjet populiste që drejtoheshin kundër oligarkisë politike tradicionale.
Duhet pranuar se ne si shqiptarë nuk kemi bërë thuajse asgjë, për të çuar sadopak ujë në mullirin e ndryshimit të kësaj statu-quoje 30 vjeçare. Kemi sharë e nëmur sa kemi pasur fuqi njërin apo tjetrin në shtëpi a kafene, kemi mallkuar këtë apo atë parti, kryeministër, deputet a kryetar bashkie, e më pas kemi vajtur ditën e zgjedhjeve të votojmë pa nxjerrë zë nga goja… vijimësinë. Kemi harruar si me magji ç’kemi thënë dhe kemi bërë rregullisht atë që betoheshim se s’do ta bënim kurrë: t’u jepnim votën “këtyre”!
Në këtë kërkim pasiv dhe platonik të një zgjidhjeje që kemi pritur të na vijë praktikisht nga hiçi, janë shfaqur në vitet e fundit premisat e një prezence, të një premtimi politik në dukje të ri dhe me potencial përmbysës. Më së shumti kjo prezencë është degëzuar në dy drejtime, kinse-projekte të reja transformuese: atë të partive nacionaliste dhe të projektin të shumëpërfolur të Islamit politik. Që të dyja këto mbështeten si në pamundësinë për të gjetur dhe gjeneruar ide dhe fytyra të reja brenda godinës aktuale të politikës shqiptare, ashtu edhe nga procese e rrethana që jo domosdoshmërisht kanë të bëjnë me Shqipërinë aktuale.
Nga njëra anë, forcimi në viset e tjera të banuara nga shqiptarët i një ideje bashkimi kombëtar, që duhet të marrë formën e një platforme politike konkrete, është një fenomen që ka mundësuar këto vite zbatimin praktik të këtij eksperimenti, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Dhe nëse në Kosovë një prani e tillë në spektrin politik zuri vend të dukshëm me Lëvizjen e Vetëvendosjes, në Shqipëri një operacion i ngjashëm (të paktën në parimet bazë) dështoi me Lëvizjen Kuqezi.
Rrethanat delikate ku shqiptarët kanë lundruar në dekadën e fundit, më saktë secila prej tre shoqërive shqiptare në Shqipëri-Kosovë-Maqedoni, që përbëjnë shumicën e atij që njihet si kombi shqiptar, kanë bërë që kauza e partive nacionaliste të përpiqet të avancojë edhe në një terren ku historikisht nacionalizmi ka qenë retorikë, por jo praktikë.
Tentativa aktuale e Lëvizjes së Vetëvendosjes për ta eksportuar revolucionin e saj të vogël politik nga Kosova në Shqipëri e më gjerë, bazohet jo vetëm mbi shkallën e lartë të konsumimit të elitave politike tradicionale, por edhe mbi një kontekst më të gjerë evropian, i cili ka futur në krizë edhe projekte të tilla serioze dhe me peshë të jashtëzakonshme politike e ekonomike si Bashkimi Evropian.
E megjithatë, në rastin e Shqipërisë duket se tentativa për të ndërtuar një zgjatim të suksesshëm të eksperimentit kosovar të Vetëndosjes, ngjan si një qepje me pe të bardhë dhe që vështisë se do t’u fusë frikën socialistëve e demokratëve e të tjerëve pas tyre. Përmendja e emrit të Ditmir Bushatit si shef i mundshëm i “Vetvëtendosjes shqiptare”, vetëm sa e bën më mekanike dhe pa vlerë këtë iniciatvë të përfolur, që kërkon kësisoj vetëm të sugjestionojë median dhe opinionin publik, por jo të prodhojë vota dhe mbështetje reale. Nacionalizmi i shqiptarëve ka qenë historikisht një element kimik i paqëndrueshëm dhe i bazuar më shumë mbi fjalë, sesa mbi vepra.
Një fat të ngjashëm duket se e pret edhe projektin tjetër që përflitet prej vitesh, atë të një partie politike të frymëzimit religjioz. Ndërsa e kemi para syve prej dekadash trajektoren gjysëm-komike të partive demokristiane, vështirë të mendohet se një parti e bazuar mbi frymëzimin islamik, ose Islami politik siç quhet, mund të arrijë diçka më tepër.
Maqedonia dhe Kosova janë tunduar fort vitet e fundit nga një projekt i tillë politik dhe kjo ka një arsye bazë të madhe: mjafton të shihni sesa më i lartë dhe i kudondodhur është përjetimi i fesë islame në rrugët e Tetovës apo disa qyteteve të tjera me shumicë shqiptare, për të kuptuar se një operacion i tillë politik është thjesht i pamundur në Shqipëri. Prej kohësh që s’mbahen mend, në Maqedoni e Kosovë feja ka qenë dallimi kryesor që shqiptarët kanë kultivuar, për t’u diferencuar nga sllavët e tjerë. Kjo rrethanë ka qenë thjesht e huaj për mjedisin e Shqipërisë, ku ndër të tjera u zbatua edhe një ateizëm shtetëror ekstrem, i cili e zbuti edhe më tej indin fetar të shqiptarëve.
Investimi në imazh që përpiqen të bëjnë disa personazhe të rreshtimit fetar në Shqipëri, duke u përfshirë në aktivitete bamirësie e dalje në media, si hapi i parë drejt hyrjes eventuale në politikë, është thjesht një lëvizje në boshllëk. Shqiptarët janë një popull pragmatist, jo një popull religjioz, që votën e hedhin aty ku kanë interesin, e jo ku kanë besimin fetar.
Dalja nga kriza e elitave drejtuese të Shqipërisë është një imperativ i kakohshëm. Konsumimi i kastës politike është një fenomen kapilar që i ka kapur të gjitha partitë kryesore të vendit, ndërkohë që listat e emrave të rinj që hyjnë në politikë përmes portës së partive tradicionale, janë thuajse të gjithë të rekomanduar nga krerët e vjetër që kontrollojnë proceset e brendshme politike dhe kanë bllokuar çdo nivel demokracie partiake. Ikja nga kjo situatë bëhet me reforma të thella të sistemit politik, me zbatim të ligjit dhe ide e vizione të reja për shtetin dhe zhvillimin ekonomik e social. Rendja pas goditjeve me efekt, siç janë nacionalizmi dhe feja, vetëm sa e rëndojnë dhe e bëjnë edhe më joserioze e banale situatën politike në vend.