Senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Ron Johnson, thanë se duan të bëjnë gjithçka të mundur për të mbështetur dialogun për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Ata i bënë këto komente në Beograd, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Dy senatorët thanë se procesi i dialogut “do të kërkojë shumë kompromise dhe sakrifica nga të dyja palët”, por shtuan se pasi të arrihet marrëveshja, “potencialet dhe përfitimet për të dyja vendet do të jenë më të mëdha se ajo që mund të humbet në negociata”.
Johnson, republikan, tha se “Amerika është mike e popullit serb” dhe se “dëshiron të bëjë gjithçka të mundur për të mbështetur dialogun dhe procesin, në të cilin të dy popujt duhet të japin diçka dhe të marrin diçka”.
Demokrati Murphy tha se shpreson se pas zgjedhjeve në Kosovë, edhe autoritetet në Prishtinë do t’i bëjnë hapat e nevojshëm për vazhdimin e dialogut.
Ai theksoi se mbështetja për dialogun Serbi-Kosovë është një çështje, për të cilën edhe demokratët, edhe republikanët në SHBA bien dakord.
Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë është pezulluar prejse Kosova u ka vënë taksë prodhimeve të importuara nga Serbia, në nëntor të vitit të kaluar.
Vuçiq u tha senatorëve amerikanë se “Beogradi pret heqjen e taksës” dhe se do “arritjen e një marrëveshjeje të kompromisit”.
Por, shtoi Vuçiq, kjo zgjidhje “nuk mundë jetë përmbushje e qëllimeve të njërës palë”, kurse pala serbe të mos fitojë asgjë.
“Serbia mund të diskutojë çdo gjë vetëm nëse ka zgjidhje kompromisi. Në qoftë se nuk ekziston një zgjidhje kompromisi, ne nuk mund ta njohim pavarësinë e Kosovës. Dhe, këtu nuk ka filozofi të madhe”, tha Vuçiq.
“Përmirësimi i marrëdhënieve midis serbëve dhe shqiptarëve dhe vendosja e paqes së qëndrueshme do të ishte e dobishme për serbët dhe shqiptarët, si dhe për të gjithë popujt që jetojnë në rajon”, shtoi Vuçiq.
Senatorët amerikanë qëndruan këtë javë edhe në Prishtinë.
g.kosovari