Pas përfundimit të mbledhjes së grupit të Partisë Socialiste, ka qenë deputeti Taulant Ballai ai i cili iu kundërpërgjigj kryedemokratit Basha në lidhje me akuzat e tij për cështjen CEZ. Balla tha se përpara se Basha të kërkojë llogari duhet të japë vetë llogari përpara drejtësisë për lejet e tij abuzive të ndërtimeve në Tiranë, kur ishte kryetar Bashkie, e për milionat e vjedhura në rrugën Durrës Kukës.
“Luli duhet të dalë para drejtësisë për lejet abuzive të ndërtimit. Luli i shiti detin Greqisë, bashkë me Berishën privatizoi CEZ-in në mënyrën më të turpshme të mundshme, e dëbuan kompaninë dhe tani kërkojnë llogari se si e zgjidhi çështjen qeveria. Para se të kërkojë llogari, të japë vetë llogari para drejtësisë për milionat e vjedhura për rrugën Durrës-Kukës”, tha Balla.
Basha reagoi pas një dalje publike të Kryeministrit Rama duke thënë se në shqipëri dhe Parlament nuk do të ketë qetësi dhe stabilitetit derisa cështja e CEZ të hetohet dhe të zbardhet e plotë. Ndërkohë Rama, në fjalën e tij në një konferencë, mbajtur për 1 vjetorin e nisjes së aksionit qeveritar kundër vjedhjes së energjisë theksoi se shteto do të kontaktojë ekspertë të huaj për hetimin e aferës CEZ, duke nisur fillimisht me privatizimin e Operatorit të Shpërndarjes, nga ana e qeverisë Berisha.