Presidenti Ilir Meta do të thirret në datë 6 shtator në mbledhjen e Komisionit Hetimor që mazhoranca ka ngritur për hetimin e tij.
Kuvendi ngriti Komisionin Hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës më 8 korrik, duke i lënë afat deri në 8 Tetor të vlerësojë nëse Ilir Meta e ka shkelur apo jo Kushtetutën.
Komisioni drejtohet nga Ulsi Manja i cili është edhe kryetar i Komisionit të Ligjeve. Komisioni ka nëntë anëtarë, 5 nga mazhoranca dhe 4 nga opozita të cilët do të vendosin për shkeljet e Metës.
Komisioni po ashtu do të miratojë një plan hetimor, i cili në thelb do të synojë hetimin e shkeljeve të mundshme të Kreut të Shteti në lidhje me zhdekretimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, datë kjo që shkaktoi reagime të forta dhe përplasje mes subjekteve politike.
Kryetari i Komisionit, Ulsi Manja tha se gjatë muajit korrik dhe gusht i kanë kërkuar informacion 7 institucioneve për objektin e hetimit.
Ulsi Manja: Komisioni i posaçëm hetimor bazuar në ligjin për komisionet hetimore u është drejtuar gjatë muajve të verës, në periudhën korrik dhe gusht disa institucioneve shtetërore u është kërkuar dokumentacioni i duhur në lidhje me objektin e hetimit.
U jemi drejtuar me shkresë për të sjellë në sekretarin e komisionit dokumentacionin e duhur qendrës së botimeve zyrtare, drejtorisë së policisë së shtetit, presidencës, Ama, kolegjit zgjedhor pranë gjykatës së aplit, KQZ dhe Prokurorisë së Përgjithshme.
Deputeti i opozitës, Alban Zeneli kërkoi që komisioni të shtyhej deri në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe marrjes së opinionit të Venecias.
Alban Zeneli: Të gjitha shqiptarët janë dakord që të hetohet çdo institucion apo drejtues institucioni. Rasti i këtij komisioni hetimor, është rasti i parë që ndodh. Ka edhe një specifikë të veçantë, çdo raport që del nga ky komision është i detyrueshëm të shkojë në parlament dhe është i detyrueshëm që votimi që merr parlamenti në mënyrë specifike duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese. Ne jemi në rastin kur Gjykata Kushtetuese nuk është formuar. Për shkak të kësaj dhe për shkak se ne i kemi bërë një kërkesë Komisionit të Venecias që ata të japin një opinion paraprak dhe final. Unë do ti kërkoja këtij komisioni që mos ta lënë në boshllëk institucional, por pa u formuar Gjykata Kushtetuese dhe përpara se të merret edhe opinioni i Komisionit të Venecias në këtë komision ta shtyjmë dhe të merremi me hetimin tonë si komision, paralel me gjithë këto kohë që do kemi në dispozicion. Është më e pranueshmja që ne ti kërkojmë kuvendit që shtyrja minimale, brenda gjithë kohës që institucioni i Gjykatës Kushtetuese të formohet dhe komisioni i Venecias të sjellë informacionin paraprak dhe final të marrim kohën e duhur që të jetë një vendim jo politik.
g.kosovari