Tabloidi britanik “Daily Mail”, i ka kushtuar një tjetër shkrim faktit që të dënuarit shqiptar në burgjet angleze përdorin lirshëm celularë brenda qelive dhe komunikojnë me botën jashtë hekurave, si të ishin në liri të plotë.
“Zotërit e krimit janë duke u tallur me qeverinë që shpenzon 100 milionë paund për të rritur sigurinë në burgje”, thekson shkrimi.
Sipas Daily Mail, kriminelët shqiptarë “përdorin celularë dhe bëjnë festa të çmendura në qelitë ku vuajnë dënimin. Të tjerët po kontaktojnë hapur me bashkëpunëtorët që ndodhen jashtë. Një hetim i Daily Mail identifikoi se të paktën shtatë të burgosur që përdorin celularë dhe janë aktiv në media sociale”.
Media britanike thotë se ndër personat e identifikuar që e bëjnë këtë gjë, “është edhe një baron droge shqiptar, i dënuar me 12 vjet heqje lirie për drejtimin e një bande që trafikonte kokainë dhe kanabis. Ai përdor telefon në burg, duke postuar video live në Facebook. Postimet e tija shihen deri nga 70,000 njerëz”.
Në një postim të këtij “baroni droge” që ka parë Daily Mail javën e kaluar, shqiptari shkruan “Zjarr në qeli”.
“Në video ai filmon veten dhe të burgosurit, të cilët shihen me celularë në duar teksa janë duke kërcyer dhe qeshur”, shkruan Daily Mail, e cila nënvizon se këto festa janë çdo të shtunë në burg.
Pasi Daily Mail publikoi investigimin, Ministria e Drejtësisë, tha se llogaritë e medieve sociale të përdorura nga shtatë të burgosurit ishin të mbyllura. Telefonat u konfiskuan dhe të burgosurit po përballen me ndëshkime.
Trafikanti i kokainës Ndriçim Musaj u burgos për nëntë vjet në gusht të 2016, pasi oficerët i sekuestruan një mitraloz dhe drogë me një vlerë prej 6.4 milion paund. Por muajin e kaluar ai postoi një fotografi të vetes në faqen e tij në Facebook të ulur në një stol në kopshtin e burgut me titullin ‘Ndjehem mirë’, ’së bashku me një emoji të një fytyre të buzëqeshur.
Ai i tha një reporteri nga Facebook se ishte ‘në burg’ dhe madje me krenari i dërgoi një shkrim gazete për dënimin e tij për trafikun e drogës. I pyetur se sa kushtoi të futej një telefon në burg, ai tha: ‘1.500 paund’.
g.kosovari