Merkatoja e verës në Kategorinë Superiore u mbyll me plot 262 lëvizje. Ora 24:00 e së shtunës ishte afati i fundit për të federuar lojtarë dhe disa klube të Superiores e shfrytëzuan maksimalisht këtë.
“Panorama Sport” ka ndjekur hap pas hapi lëvizjet e djeshme në institucionin e futbollit dhe rekordin e mban pikërisht Skënderbeu, që në ditën e fundit shtoi në listën e federimeve katër lojtarë të rinj. I pari është sulmuesi kosovar që vjen nga Braunshvajg II në Gjermani, Arbnor Muja.
Bëhet fjalë për një 20-vjeçar që ka luajtur edhe te Trepça ’89 në sezonin e kaluar, ndërsa është edhe pjesë e Kombëtares U21 të Kosovës. Goditja tjetër është ajo e mesfushorit shkatërrues nga Shkupi, Agon Elezi, i cili është pjesë e Kombëtares U-19 të Maqedonisë së Veriut.
18-vjeçari ka luajtur me Shkupin dhe së fundmi me të rinjtë e Kaen në Francë. Goditja e tretë është një talent grek, George Tampas, që luan në rolin e mesfushorit qendror. Në sezonin e kaluar 19-vjeçari është aktivizuar me AEK U-19, madje ka marrë pjesë edhe në Ligën e Kampioneve për të rinj. Ndërsa afrimi i katërt është brenda kampionatit.
Në orët e vona drejtuesit e Skënderbeut dhe Kukësit ranë dakord që mbrojtësi i majtë, Faton Xhemaili, të huazohej te korçarët. (Panorama)