Nga Ben Andoni
Ekskluzive Javanews/ Që në krye të herës duhet të bëjmë një saktësim të vogël. Kur flitet për monumentet duhet të ndajmë ato që kanë lidhje direkte me Trashëgiminë Kulturore dhe përcaktojnë jo pak vlerat e saj për një komb; dhe monumentet, të cilat ngrihen në kohë regjimesh ekonomiko-shoqërore të ndryshme, qeverish, interesash komunitetesh për të nderuar etj.
Së fundmi, e ka pësuar edhe Memoriali kushtuar viktimave të grushtit të dështuar të shtetit në Turqi më 15 korrik të vitit 2016. Argumenti i këtij shkrimi nuk ka asfare lidhje me mënyrën sesi është vendosur dhe përgjegjësit e saj, por për një gjë duhet të sqarojë se: ky Memorial në mënyrën sesi u vendos, se cili ishte autoriteti që firmosi për të la shumë për të dyshuar. Mbi të gjitha për mungesën e transparencës por edhe objektit të nderimit të tij. Gjithsesi, kryetari aktual i bashkisë sqaroi diçka lidhur me të, ku midis të tjerash thuhej se ai memorial ishte një nga të pesëdhjetë nderimet në Parkun e Madh të Liqenit…të cilët njësoj nuk i kanë shpëtuar dorës sonë.
Pse i urrejmë monumentet
Shqiptarët kanë një lidhje gati idhujtarie me monumentin. Ai përfaqëson jo vetëm stadin e një akti dhe nderimi të një ngjarje apo personazhi por edhe diferencën e madhe të një klase me të tjerët. Në këtë prizëm, paçka se cili është nderuar, të gjithë kanë pasur jo shumë kujtime të mira. Në pamundësi që në këtë shkrim t’i përmbledhim të gjitha rastet do të fillonim me nderimin që komuniteti i Gjirokastrës do të bënte për Çerçiz Topullin, në periudhën mes dy Luftërave të Mëdha Botërore, monument që edhe sot e kësaj dite gjendet në sheshin kryesor të qytetit. Paria dhe të pasurit kishin bërë gati paratë me të cilat do të komisionohej autori dhe pastaj do të derdhej vepra në bronz. Gjithsesi, skulptorit Odhise Paskali i duheshin më shumë para për veprën e tij. Për ironi të së gjithës, shtesa e vogël jo vetëm u refuzua, por skulptori do të kërcënohej. Zgjidhja e skulptorit ishte ‘interesante’, por më shumë pragmatiste “eliminoi” një nga duart, duke kursyer të pakursyeshmen, për një monument që sot po mbush shekullin. Ky episod mund të tregoj pak a shumë edhe qasjen që mbart ky komunitet me monumentin. Deri vonë, varret e heronjve Topulli dhe bashkëluftëtarëve të tyre, ishin të shkatërruara dhe të dëmtuara prej indiferencës dhe natyrës por edhe mungesës së vullnetit për t’i mirëmbajtur.
Po nëse shtatorja e Çerçizit do të qëndronte nuk e pati këtë fat, Monumenti i Pavarësisë, që i kushtohej 25 vjetorit dhe ishte ngritur diku te Bulevardi në Tiranë. Ai nuk do kishte jetë të gjatë, ashtu si shumë monumente të asaj kohe. Mes tyre duhet të kujtojmë bustin e Gjeneralit italian Enrico Tellini, i cili bënte pjesë në Komisionin e Përcaktimit të Kufijve, midis Shqipërisë dhe Greqisë dhe të cilin grekët e vranë me 27 gusht 1923. Mbas pushtimit fashist, italianët i ngritën një shtatore gjeneral Tellinit, vepër po e Odhise Paskalit. Shtatorja, e cila ndodhej jo larg Parlamentit të sotëm u shkri në fonderi!!!
Pak vite më vonë, Shqipëria do vendoste të merrte nga Turqia eshtrat e poetit të saj kombëtar. Dhe, realisht ceremonia u realizua me një madhështi të paparë. Në vitin 1937, me rastin e festimeve të 25-vjetorit të Pavarësisë, eshtrat e Naim Frashërit, ardhur nga Stambolli u varrosën pranë Kryegjyshatës Bektashiane në Tiranë, duke parashikuar edhe ndërtimin e një varri monumental, që u mundësia vetëm pas tre vitesh. Duke pasur parasysh përkatësinë e tij fetare si edhe dedikimin e tij ndaj Bektashizmit, varri u ngrit në oborrin e madh të Kryegjyshatës. Dokumentet e kohës bëjnë me dije se ishte në mermer të bardhë dhe shkonte me stilin monumental të kohës. Në vitin 1967 varri do të shkatërrohej kurse eshtrat e tij do të lëviznin në drejtim të Kodrave të Liqenit, ku sot gjendet në varrin e përbashkët monumental me vëllezërit e tij Abdyl dhe Sami në Kodrat e Liqenit.
Ky i fundit i refuzuar të vijë nga Turqia për shkak të ngarkesës së madhe kulturore-sociale që e lidh me këtë vend. Eshtrat e Konicës që do t’i bashkoheshin dekada më vonë këtij memoriali nuk do kishin fat më të mirë. Busti i tij do të batërdisej nga njerëz të panjohur. Dhe, vetëm pak kohë më parë vetë memoriali i Tre Vëllezërve ishte mbushur me mbishkrime dhe lyer me lloj-lloj shënimesh fyese, për të cilat bashkia e atyre viteve iu desh të vepronte në kohë për të zvogëluar turpin.
Jemi larguar pak në kohë por duhet të kujtojmë se një fat të keq pati Varri Monumental i Nënës Mbretëreshë në Kodrat e Liqenit. Shkatërrimi i saj do të lidhej me ardhjen e partizanëve në Tiranë. Një njësit i tyre do ta hidhte në erë duke i dhënë fund edhe simbolikës së gjallë të mbretit në Tiranë, ndërkohë që nga ana institucionale i kishin treguar vendin më 24 maj 1944, duke mos e lejuar të vinte më në Shqipëri. Pothuaj shumë nga monumentet e ngritur në kohë të tij nuk do kishin jetë të gjatë, përveç bazorelievëve në godinat kryesore të institucioneve, një pjesë e të cilave u modifikuan ose u mbuluan.
Pas lufta do i angazhonte komunistët në gjetjen e simbolikave të tyre dhe vendi u mboll me shumë monumente dhe lapidarë. Ka pasur një shifër gati të pabesueshme por që ka rezultuar e vërtetë, ku pothuaj në pak kilometra katror do të kishte një monument që përkujtonte një ngjarje apo një personazh të tillë. Përveç veprave shumë të mëdha sot pjesa më e madhe e veprave monumentale urbane janë shkatërruar. Kështu u shkatërrua në Rrëshen një nga punët më të bukura, Grupi Skulpturor kushtuar vetmohimit dhe emancipimit të gruas mirditore. Më 1991, punën e shkëlqyer të grupit të skulptorëve Gogollari, Dushku, Çuli dhe Mano e thyen dhe e zhdukën duke ia humbur fare gjurmët. Në të gjitha qytetet ndërkohë u hoqën veprat e socializmit dhe një pjese e madhe e tyre u lanë në mëshirë të fatit.
Në Shkodër, veçmas tyre, fat më të keq pati simbolika e Migjenit. Ky poet, ndoshta më i jashtëzakonshmi në historinë e letërsisë sonë, do të duhej dhe urrehej njëkohësisht në të gjitha kohërat. Të gjithë u munduan të bënin të vetin, porse në fund askush nuk mundi t’i afrohej aqsa t’i bëhej i afërt. Rezultati: i shpërfytyruan bustin në Shkodër, kurse varrin ia thyenin sistematikisht me vare!!!. Shtëpinë ia tjetërsuan komunitetet fetare. Kurse fyerjet dhe shkatërrimet nuk iu ndalën kurrë. Nga kush? Cubat punojnë krenarë natën. Për t’i bërë shoqëri pak vite më vonë, në Varrezat e Dëshmorëve (Shkodranët i bashkangjitën dhe Fushën e Plehrave të qytetit), i sollën monumentin e 5 Heronjve të Vigut. Ky grup skulpturor, që e kishin përdhosur me aq sa mundën duke e nxjerrë te plehrat, por pa mundur ta hedhin krejt në erë, derisae në vitet e fundit është nxjerrë për ‘kurim’… tashmë jashtë qytetit. Po shkodranët duhet të kujtohen për përdhosjen që i bënë varrezave të Rrmajës dhe komplekseve të jashtëzakonshme funerore aty dhe lënien pasdore të monumenteve aty.
Më e bukur ndodhi në Tiranë. Një personazh që veçse i dha bashkëkohësi vendit tonë në romantizëm arbëreshi Jeronim De Rada, i përjetësuar në një punë të jashtëzakonshme në skulpturë, sërish do të vuante paradokset tona. Busti iu hoq dhe iu zhduk për vite me radhë në një nga vendet më paqësore të kryeqytetit, mu në mes të Tiranës së Re, duke ia plasur tuorshëm në një magazinë. Derisa për fat do të kujtoheshin dhe do të nxirrnin për ta vendosur të shpluhurosur te Akademia e Shkencave.
Nënë Tereza ka edhe ajo një histori të bukur me monumentin e saj punuar nga Dhamo, dikurvendosur te korpusi. Një skulpturë tjetër e Mulliqit, autorit të mirënjohur kosovar, u bë dhe u vendos në Rinas, por pastaj kjo u zëvendësua me punën e Dhamos, e cila dëmtohej një e dy dhe ishte kthyer në vend plehrash. Kurse Nënë Tereza tjetër është zhvendosur në afërsi të kufirit shqiptaro-maqedon!!! Sot, e kësaj dite, në sheshin “Nënë Tereza” që përkujton shenjtoren ka vetëm një pllakë, që më shumë mund ta marrësh si shenjë orientimi sesa si pllakë.
I fundmit që është dëmtuar ka qenë dhe monumenti i pinjollit të Frashërllinjve, ai që e ndau ashpër politikën shqiptare të ditëve tona. Mit’hat Frashëri u vendos pak muaj më parë në kodrat e liqenit me të atin dhe ungjin, te “Tre vëllezërit” por çuditërisht si nderim të personalitetit të tij të dyzuar edhe me shumë hije kolaboracionizmi.
Pa dashur të bëjmë një listë, e cila do të ishte e pafundme, ndoshta na duhet të kujtojmë përdhosjen sistematike që iu bë për muaj të tërë monumentit të 100-vjetorit të pavarësisë në Tiranë, vjedhur, zhgaravitur dhe prishur vazhdimisht. E për këtë nuk mjaftonte që dy institucionet e linjës që e kishin në administrim: Ministria e Brendshme dhe Bashkia ishin sëbashku më pak se 100 metra larg…
Po monumentet e trashëgimisë kulturore
Këto s’duhet t’i përmendim sepse të zë tmerri. Gati një vit e gjysmë më parë, ish-Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro e pranishme në Komisionin parlamentar të Medias dhe Mjeteve të Informimit Publik ka deklaruar se janë 219 monumente në të gjithë vendin në rrezik shembjeje!!! Kurse akademiku i njohur Emin Riza akuzon sot hapur Ministrinë e Kulturës dhe Institutin e Monumenteve për degradimin dhe shkatërrimin e banesave popullore në gjithë vendin dhe të akademiku thekson se rreth 200 banesa, të cilat janë shpallur më herët monumente kulture të kategorisë së parë nuk ka ende një dokumentacion të plotë mbi gjendjen e tyre. Po cili është fajtor vallë?!!!
…
Shqiptarët kanë një qasje të çuditshme me monumentin, por që në jo pak raste i nxjerr disi paganë. Në dukje të gjithë e vlerësojnë nderimin e një figure dhe një ngjarje, por jo shumë kohë më pas, duket se bëhemi mëdyshas dhe ‘i tregojmë’ vendin. Kohërat, sistemet dhe edukata e viteve nuk është se na kanë ndryshuar, duke na bërë shumë herë paradoksalë, por më shumë duke provuar në terren se shqiptarët, ashtu si Ballkanasit, kanë shumë më tepër histori sesa mund të konsumojnë në të vërtetë.