Nga Ardit Rada
Ka një zell të papërshkrueshëm të opozitës që ta nxijnë vendin në sytë e faktori ndërkombëtar dhe arsyet janë të shpjegueshme. Në vitin 2016, Aldo Bumçi hapi siparin e sjelljes histerike kundër procesit integrues të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Bëhet fjalë për takimin në Bruksel ku ish-ministri që shëtiti tre ministri për tetë vite në kohën e Sali Berishës, votoi kundër hapjes së negociatave me gjithë dy shokë të tjerë. Tre vite më pas mbetet në sojin e opozitës që luftën e brendshme për pushtet ta transferojnë mundësisht në opinionin publik ndërkombëtar.
Sigurisht që as “Bildi” i Lulzim Bashës nuk i zgjidh dot dosjet e përgjimeve dhe as trokitjet në ambasadat e huaja për të ‘raportuar vullnetarisht’ nuk i japin dot drejtim ligjor çështjeve. Aq më tepër Martin Henze, këshilltari i Merkelit që vetë kancelarja nuke njeh fare dhe PD na e sjell në Tiranë çdo muaj si profet. Përkundrazi, që në shkurt Brukseli u tregua i qartë kur tha se opozita nuk duhet të presë më arbitër nga europa dhe se çështjet zgjidhen tek drejtësia ku po investon i gjithë perëndimi mbarë. Pra aryet e këtij zelli nuk kanë të bëjnë me një shërbim ndaj vendit, por ndaj vetes për t’u paraqitur perëndimorë të lindur, apo siç themi ne “më katolikë se Papa”.
Sot një intervistë për gazetën italiane “Il Giornale” që presidenti Ilir Meta kishte dhënë në italisht nga vila e Gjirit të Lalëzit kushedi sa kohë më parë, erdhi si lajm paralel me ngjitjen e majës së Korabit nga kreu i shtetit, i shoqëruar nga humoristë dhe njerëz pranë Berishës.
Në fakt, Meta nuk thoshte ndonjë sihariq të ri për qëndrimet e tij, apo zgjidhjen e situatës politike që preferon ta quajë krizë të thellë. Kjo mbase për faktin se intervista ishte dhënë disa javë më parë dhe u publikua pikërisht sot. Por mes rreshtave, kreu i shtetit pranon një të vërtetë të hidhur që më tepër sesa një argumentim është një bumerang që i kthehet mbrapsht. Presidentin pohoi sot hapur se loja me kaq shumë kosto ka qenë e orkestruar me vetëdije që në fillim prej tij, duke e ditur se zgjidhjen e jep vetëm Gjykatës Kushtetuese.
Ilir Meta u sqarohet italianëve se vetëm Gjykata Kushtetuese mund t’i gjykojë dekretet e ç’dekretet e tij. Pra Presidenti në mungesë të organit më të lartë që e gjykon atë, ka bërë çfarë ka dashur me vendimet e Kuvendit dhe Qeverisë, dhe për këtë ka shfrytëzuar mungesën e Gjykatës Kushtetuese. Një karshillëk ky ndaj BE-SHBA që e kanë sqaruar qartë sesi dhe kur do të ngrihet Kushtetuesja dhe këtë boshllëk presidenti e ka shfrytëzuar për ta trashur çorbën që nisi opozita që prej shkurtit. Por jo vetëm kaq!
Duke qenë se 13 Tetori ka rënë për shkak të afateve ligjore, ai është përpjekur nga Gjiri i Lalzit ta mbrojë dekretin duke u shprehur se fal tij u shmang përplasja civile. E thënë ndryshe, sipas tij nga Aurel Bylykbashi qe do shkonte në gjakderdhje e deri te Lulzim Basha që do përplasej në çdo qendër votimi, u qetësuan prej dekretit të tij. Kjo, sepse paskan shpresuar që zgjedhjet do të përsëriteshin në 13 Tetor, edhe pse Basha s’ka as dëshirë e as kandidatë për këtë datë. Qëndrimi i Metës për ‘Il Giornale’ mbart në vetëvete lajmin e mirë se Presidenti do të shkarkohet seriozisht, dhe për ta ngushëlluar: Kjo do të ndodhë pas krijimit të Gjykatës Kushtetuese.
Lajmi i keq dihet. Nuk do as mend e as kalem se këtë situatë e dirigjon së bashku me Sali Berishën. Herë pasi kanë drekuar personalisht në Tiranë, e herë pas i ka çuar emisarë në Korab e Lalz.