Nga Altin Ketro
Ka një sulm agresiv të Partisë Demokratike dhe kryetarit të saj, Lulzim Basha, në lidhje me akuzat që kanë drejtuar ndaj kryebashkiakut të Vorës zotit Agim Kajmaku. PD-ja pretendon se ka zbuluar të dhëna të 16 viteve më parë, janar 2003, ku sipas saj zoti Kajmaku rezulton i arrestuar nga policia greke.
Nga njëra anë është PD-ja që akuzon, nga ana tjetër është i akuzuari që mohon. Nëse në rastin e zotit Pjetri ai nuk priti ardhjen e përgjigjes nga pala italiane dhe dha dorëheqjen, zoti Kajmaku edhe pas publikimit të arsyeve të arrestimit sërish pretendon se nuk është ai që ka qenë i arrestuar.
Në këto kushte, kur të dyja palët kanë kundërshti me njëra tjetrën, duhet pritur vendimi i organeve kompetente të thonë fjalën e tyre dhe aty do të ndahet shapi nga sheqeri se cili ka të drejtë.
Kur ulesh e shkruan për çështje të tilla shumëkush mendon se çfarë arsye të shtyn që t’u dalësh krah individëve të cilët kanë kryer vepra penale, të provuar a jo, në një kohë qoftë kjo edhe e largët. Nuk është fare arsyeja për t’i marrë në mbrojtje, sepse as i kam familjarë, as më ka lidhur puna apo çfarëdolloj interesi me ta.
Çështja bëhet e ndjeshme kur Partia Demokratike merr përsipër të bëjë pis Partinë Socialiste duke e vënë përpara faktit të kryer se ajo ka qenë në dijeni të së shkuarës së kandidatëve të tyre e përsëri i ka kandiduar. Në fakt strategjia e PD-së është të krijojë idenë në publik se PS-ja është një formacion politik plot me kriminelë.
Dihet se Partia Socialiste rrjedh nga transformimi i Partisë së Punës. Për 45 vjet ajo parti kishte njerëzit e saj vigjilentë që ta dinin historikun jo vetëm nga dita e lindjes, por me kuç e me maç deri në brezin e dhjetë. Çdo prapësi që kishe bërë ti në të kaluarën të shënohej në karakteristikë, bile edhe lidhja me të afërmit të cilin kishin një biografi të keqe për regjimin.
Nisur nga kjo lloj trashëgimie e keqe, Partia Socialiste hoqi dorë qysh nga viti 1991 për të rrëmuar në jetën e individit. Çdo akuzë publike e ardhur prej saj ka ndodhur kur ato kanë dalë në dritë të diellit nga prokuroria apo media, po kurrë që të jetë investuar personalisht si parti për të gjetur kleçka, si brenda radhëve të veta, ashtu edhe tek kundërshtari.
Imagjinoni për një çast kryetarin e PS-së, Edi Rama, që të kishte ngritur një strukturë në selinë e tij e cila të merrej enkas me verifikimin e të shkuarës jo vetëm të të vetëve, por edhe të kundërshtarit. Ata të nisnin të mblidhnin të dhënat që eksponentët politikë i bëjnë publike. Dhe në bazë të tyre të kontaktonin të afërm, të njohur, miq e shokë apo këdo që ka një dijeni për jetën e tjetrit e pastaj të interesoheshin nëpër komisariatet e botës për të gjetur ndonjë dokument sado informal e kështu të krijonin dosje personale për secilin syresh.
Sado që PD-ja ta kërkojë këtë mënyrë funksionimi tek PS-ja, s’ka për ta gjetur dot. Partia Socialiste është një parti institucionale dhe nuk punon me metoda prej skuthi. Ajo beson tek dëshmia e penalitetit që lëshon shteti shqiptar dhe ato dëshmi që lëshojnë institucionet e shteteve të tjera.
Deri më sot ato janë marrë për bazë për të vërtetuar nëse dikush ka qenë apo jo i dënuar më parë. Por, për t’i paraprirë rasteve kur dënimi pas disa viteve parashkruhet, është bërë edhe formulari i dekriminalizimit të cilin çdokush prej kandidatëve merr përgjegjësinë personale për të thënë nëse ka qenë apo jo i dënuar ose arrestuar.
Në rastin e zotit Pjetri është një përgjegjësi e tij, që me vullnet e ka lënë të bardhë pjesën e dënimit. Ai me atë rast ka shpërdoruar një besim dhe nder shumë të madh që iu dha për të drejtuar një bashki. Rasti i zotit Kajmaku është ende për t’u provuar. Por në të dyja rastet individët kanë nënshkruar personalisht dhe askund të faqet e formularit nuk gjen ndonjë kundra-firmë të kryetarit Rama i cili t’u ketë dalë garant se ato çka shkruhen aty janë të vërteta absolute.
Partisë Demokratike i lumtë që ka ngritur struktura të posaçme që hetojnë të kaluarën e çdo kundërshtari politik. Nuk e di a e kanë bërë edhe për të vetët, për ata që kanë tendencë të dalin jashtë gardhit të tyre politik. E kaluara na mëson se kur kanë dalë kundra, ua kemi mësuar biografinë blozë në faqet e RD-së. Po kjo e kaluar na mëson se gjithmonë akuzat kanë dalë në formë pyetjesh, pra PD-ka ka qenë në dijeni, por i ka ruajtur si mjete shantazhi në ditë të vështira.
Edhe po të shohësh modelin me rastet “Pjetri” dhe “Kajmaku”, sërish ka ecur me një metodë sigurimsash: bëj një pyetje, pas disa ditësh nxirr një datë, pas një javë një të dhënë tjetër, e kështu me radhë. Këta që i paskan ditur pse nuk i nxorën kur zoti Pjetri ishte drejtor i hipotekave, pse jo kur u bë prefekt, pse jo kur u bë kandidat për kryebashkiak, por pritën deri sa të bëheshin zgjedhjet? Po kështu edhe për zotin Kajmaku. Sepse kanë mendje intriganti, sepse siç thashë nuk kanë fare hallin e kandidatit, por si e si të baltosin Partinë Socialiste.
Po të shohësh gjithë strategjinë e egër që karakterizon PD-në dhe lidershipin e saj, me postime orë e çast njëri pas tjetrit, po mendoja se çfarë do kishte ndodhur me kryeministrin Rama po të kishte një djalë sypeshkaqen për të cilin të flisnin gazetat amerikane, bile të bëhej film për të.
Po nëse sypeshkaqeni i “Ramës” do kishte disa telefonata rresht me ata që drejtonin punët në Gërdec menjëherë pas ngjarjes dhe mos thirrej kurrë për t’u pyetur?
Po nëse për këtë sypeshkaqenin e “Ramës” ministrat do i bënin shkresa njëri tjetrit për t’ia lehtësuar punën?
Po nëse ministri i “Ramës” do kishte lejuar ngritjen e një fabrike jashtë çdo kushti teknik dhe jo vetëm që s’do thirrej në prokurori por do promovohej si ministër në një tjetër dikaster?
Po nëse PS-ja, pas shpërthimit në Gërdec me 26 të vrarë, dhjetëra të plagosur e qindra shtëpi të shkatërruara, do fitonte në atë fshat pas një viti më shumë vota seç kishte marrë përpara shpërthimit?
Po nëse ky ministër i “Ramës” do kishte dy mbiemra dhe një procedim penal në Itali, sepse kishte futur në delegacion një të dënuar me emër të falsifikuar?
Po nëse një ministër i “Ramës”, që do ishte projektuar si pasardhës, t’i kopsiteshin letrat për prokurori për shpërdorimin e 230 milionë eurove nga KLSH-ja e drejtuar prej tij dhe ai ta mbyllte çështjen me procedurë për tejkalim afatesh sepse ishte çuditërisht sëmurë? (Fundja KLSH-në të tyren e kishin, Llallën të tyre, gjykatësit po e po, çfarë i kushtonte ta bënte gjyqin si ai tjetri që e fitoi pesë me zero “pafajësinë”?)
Po nëse një ministri të “Ramës” t’i ndodhnin në bulevard 4 vrasje demonstruesish pa faj dhe ai të promovohej si kryebashkiak i Tiranës, që për ta nxjerrë fitues u investua një shtet i tërë e prapë mos fitojë, por ta rrëmbejë “fitoren” në tavolinë?
Po nëse Partia Socialiste do zbulohej se financohej me para ruse në shumën 650 mijë dollarë dhe Rama të justifikohej se ato ishin dhuratë nga 100 shqiptaro-amerikanë pa emër e mbiemër?
Lista është shumë e gjatë, të gjitha janë publikuar kohë pas kohë dhe s’po e zgjas më tej me analogjizma. Por s’mund të rri pa thënë se do mjaftonin edhe këto “mëkate” që Edi Rama t’i kishte mbi shpinë që kjo PD zemërplasur për luftën antikorrupsion e antikrim, t’i kish bërë gjëmë jo Ramës e PS-së, por gjithë Shqipërisë.
Prandaj po e mbyll me atë që edhe e nisa. Partia Demokratike ka aftësinë që të shikojë qimen në syrin e kundërshtarit, por i mungon vullneti që të shohë traun në syrin e vet.