Nga Eduard Zaloshnja
Nga ekstrapolimi i përafërt që i bëra një sondazhit tim të ditëve të fundit, më rezultoi se rreth 855 mijë banorë të rritur të Shqipërisë kanë opinion pozitiv për kryeministrin Rama. Nga ana tjetër, rezulton se vetëm 410 mijë banorë të rritur të Shqipërisë kanë opinion pozitiv për kryeopozitarin Basha.
Duke i krahasuar këto shifra me të një sondazhi që zhvillova javën e parë të gushtit mbi partitë, rezulton se Rama ka 150 mijë simpatizantë më shumë se sa ka vota PS-ja, ndërsa Basha ka 120 mijë simpatizantë më pak se sa ka vota PD-ja (Shihni grafikun 1).
Grafiku 1.
Krahasuar me Berishën, kuota e Bashës është aktualisht 250 mijë më poshtë se sa e paraardhësit të tij. Por e kundërta ishte situata kur Basha zëvendësoi Berishën në krye të PD-së, në vitin 2013. Nga ektrapolimi i përafërt i një sondazhi që zhvillova atëherë, rezultonte se Basha kishte rreth 810 mijë simpatizantë, ndërsa Berisha 660 mijë.
Kuotat e Bashës pësuan një thepisje të fortë fill pas zgjedhjeve të 2017-ës, ku koalicioni i djathtë pësoi tkurrjen më dramatike në historinë e pluralizmit (nga 680 mijë vota më 2013 në 460 mijë vota më 2017). Kuota personale e Bashës u zhyt në nivelin 360 mijë, ndërsa e Berishës mbeti stabël 650 mijë (shihni grafikun 2)
Para zgjedhjeve të 2017-ës, Basha premtoi solemnisht se nuk do të futej në zgjedhje, nëse nuk jepte dorëheqjen Rama. Premtimin nuk e mbajti. Para zgjedhjeve të 2019-ës, Basha u betua solemnisht se nuk do të lejonte zhvillimin e votimit, me Edi Ramën kryeministër. Votimi u zhvillua pas ultimatumit nga Uashingtoni.
Siç duket, këto premtime e betime bosh, kanë ndikuar në përgjysmimin e kuotave të tij personale në opinionin publik… (realstory) /l.m
Grafiku 2.