Trajneri i Partizanit, Franko Lerda, beson se Partizani ka një detyrë më të vështirë në këto javë pasi kampionati është krejtësisht ndryshe nga Superkupa e fituar pak ditë më parë përballë Kukësit. Pikërisht një ditë para ndeshjes për kampionat me verilindorët, Lerda deklaroi se respektonte maksimalisht një kundërshtar të fortë, i bindur se ai si të tjerët do të përpiqeshin më shumë të ulnin Partizanin nga froni.
Deklaratat e Duros – “Është opinioni i tij, e respektoj. Ndeshjen e pamë të gjithë, sipas meje ishte e ekuilibruar, foli një pjesë për secilin, ne bëmë më mirë në kohët shtesë. Tani duhet të mendojmë për ndeshjen e nesërme pasi kjo e Superkupës është e kaluar”.
Ndeshja më e rëndësishme – “Ajo që vjen është ndeshje më e rëndësishme, pasi duhet ta luajmë. Jo se nuk ishte Superkupa, se e donin shumë, por e kemi kaluar, më e rëndësishme është ajo që vjen. Ne mendojmë ndeshje pas ndeshje, ilaçi është puna e përditshme, duke përgatitur ndeshjet në mënyrën më të mirë psikologjike e taktike dhe të mendojmë se kur je kampion kundërshtarët japin diçka më shumë, ndaj duhet të jemi gati”.
Si është situata e ekipit – “Kjo garë vjen pas 4 ditësh ndaj nga pikëpamja fizike është e rëndësishme të rikuperojmë energji fizike dhe nervore. Kjo ishte gjëja më e rëndësishme le të themi në përgatitjen e kësaj ndeshje”.
Njohuritë për kundërshtarin – “Kukësi ka një skuadër shumë të mirë, ka invidualitete, një trajner të aftë, ekspert dhe të përgatitur. Do të jetë e vështirë. E kemi parë disa ditë më parë, por unë kam shumë besim te djemtë, respektojmë Kukësin por kam besim se ia dalim”.
Nëse e mendon barazimin – “Unë para ndeshjeve mendoj të arrij maksimumin, pastaj nëse vjen një barazim, do të shohim se si vjen ai”.
Merkato – “Këto bisedë duhet ta bëni me klubin. Unë në këto momente po mendoj për ndeshjen e nesërme. Ajo që mund të ndodhë vjen më pas, për momentin duhet të përgatitem për ndeshjen”.
A është gati të ndërrojë Superkupën me tri pikët – “Superkupën nuk e lëshojmë se e fituam, nesër do të jetë një ndeshje tjetër, tërësisht ndryshe se nisesh 0-0. Do ta shohim se çfarë ndeshje është, por Kupën e mbajmë, nuk heqim dorë”.