Aksioni anti-informalitet ka goditur një tjetër rast të fshehjes së produkteve të akcizës. Në një inspektim të një subjekti nga Ministria e financave është zbuluar një depozitë me kafe të pjekur me një sasi totale prej 76 mijë kilogram e cila nuk kishte shlyer detyrimet ligjore.
Detyrimi i munguar i akcizës është rreth 4.6 milionë lekë dhe krahas kësaj shume, subjektit që kishte në pronësi kafen pa akcizë është gjobitur me 13.8 milionë lekë, duke e çuar në total detyrimin që duhet të paguajë subjekti në vlerën e 18.4 milionë euro ose thënë ndryshe 150 mijë euro.
Në këtë inspektim në zonën e Vorës ka qenë e pranishme edhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Arlinda Gjokuta.
Ministrja Denaj tha se nga analiza që bëhet çdo javë në kuadër të zbatimit të Planit Operacional kundër informalitetit rezulton se në produktet e akcizës, si karburanti, pijet alkoolike, kafja apo cigarja, ka shkelje nga ana e subjekteve dhe ndaj i bëri thirrje biznesit që të respektojnë detyrimet ligjore dhe të bashkëpunojnë me Administratën Doganore dhe Tatimore në kontrollet që ushtrohen nga ana e tyre, në mënyrë që të sigurohet një konkurrencë e ndershme në treg.
Ministrja pohoi se Ligji i Akcizës i vitit 2012 ofron lehtësi për bizneset që tregtojnë produkte të akcizës, pasi nuk detyron më subjektet për pagesë para kohe, por iu jep atyre mundësinë e vetëdeklarimit, çka është në ndihmë të tyre.
Ndërkohë drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Arlind Gjokuta, informoi se Plani Operacional po zbatohet nga të gjitha degët doganore në vend dhe se kontrollet bazohen në bazë të informacioneve të sistemit të vlerësimit të riskut, me fokus të veçantë në subjektet e mëdha.
Ndërkohë në lidhje me këtë shkelje ka reaguar edhe kryeministri Rama duke thënë se “Lufta kundër abuzuesve vazhdon pa pushim dhe do të shtrihet në çdo magazinë doganore, për të gjitha produktet e “rënda” të akcizës”.
g.kosovari