Nga Altin Ketro
Sekretari Ligjor i Partisë Demokratike, zoti Çlirim Gjata, në një dalje të tij për shtyp nga selia e PD-së, duke trajtuar çështjen e zotit Valdrin Pjetri, kërkoi me ngulm që nga prokuroria të bëhet menjëherë sekuestrimi i pasurisë të tij, në kuadër të të ashtuquajturit dënim në Itali të kryetarit të dorëhequr të bashkisë Shkodër.
Në kuadër të kërkesës së zotit Gjata, u ula të lexoj pjesë nga ligji nr. 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”. Si për ironi të fatit, zoti Pjetri në qeverisjen demokrate ka qenë drejtor për administrin e këtyre lloj pronave të vëna nga krimi dhe trafiqet.
Në ligjin e sipërcituar ka një nen me nr.3, në pikën 6 të të cilit thuhet: “Ky ligj zbatohet edhe për pasuritë e personave, të vëna përpara hyrjes në fuqi të tij, me kusht që të ekzistojnë indicie të rëndësishme për përfshirjen e tyre në veprimtari kriminale, në kohën e vënies së pasurisë.”
Siç shihet, ligjvënësi i ka dhënë ligjit fuqi prapavepruese, por kuptohet se qëllimi është i mirë për të ndëshkuar çdokënd që merret me veprimtari kriminale.
Nuk kam ndërmend që të bëj avokatinë e zotit Pjetri, sepse jo vetëm s’më lidh gjë me të, por s’do ndjeja asnjë keqardhje nëse çdo pasuri që ai ka vënë ka rrjedhur si shkak i një veprimtarie kriminale të shprehur në këtë ligj. Ajo çka dua të trajtoj është logjika e ligjit dhe a jemi për momentin në kushtet kur duhet të ngutemi për t’ia sekuestruar pasurinë, gjithmonë në frymën e këtij ligji?!
Mbi të gjitha duhet të ekzistojë shteti i së drejtës dhe çdokush duhet trajtuar pa paragjykime, pavarësisht mllefeve politike që njëra palë ka ndaj tjetrës.
Po të marrim për bazë atë çka PD-ja ka publikuar, ndonëse nuk është dokument zyrtar, rezulton që zoti Pjetri të jetë dënuar në Itali diku në qershor 2003 me 18 muaj burg. Ndërkohë që rezulton, sipas PD-së, që ai është arrestuar më 27 janar 2003 dhe është dëbuar nga Italia në fillim të muajit shkurt 2003. Pra ai nuk ka vuajtur pothuajse asnjë ditë burg dhe drejtësia italiane është mjaftuar me dëbimin e tij.
Rezulton që zoti Pjetri, “krimin” e ka kryer në vitin 2003, kurse aktivitetin ekonomik e ka nisur në vitin 2015, që i bie 12 vjet më pas, dhe hyn tek kategoria e personave që trajtohen me prapaveprim sepse ligji është miratuar në vitin 2009. Por po të nisemi nga fryma e ligjit, nuk ka përputhje midis kohës kur është kryer “krimi” dhe kohës kur është vënë pasuria. Pra, duhet parë nëse zoti Pjetri ka zotëruar pasuri në vitin 2003, pasi u kthye nga Italia?
Ndokush mund të thotë se këtë pasuri të supozuar e ka mbajtur të fshehur për ta investuar më pas. Por ligji, kur jemi në kushtet e prapaveprimit, e ka kushtëzuar zbatimin në këtë rast vetëm kur vënia e pasurisë të ketë lidhje me datën kur është kryer veprimtaria kriminale.
Tjetër çështje që ha diskutim është se ligji parashikon si subjekt që preken prej tij një sërë veprash që janë të listuara në Kodin Penal shqiptar. Në rastin e zotit Pjetri, nuk kemi një vendim dënimi për një vepër penale të kryer në territorin shqiptar për të cilin ai të ketë marrë dënimin; as edhe një vepër penale të kryer në shtet të huaj vendimi i dënimit të të cilit të jetë njohur nga një gjykatë shqiptare.
Pra në ligjin 10192/2009 nuk ka një rregullim nëse përfshihen në këtë ligj edhe dënime të dhëna jashtë shtetit kur i dënuari nuk vuan asnjë ditë burg dhe pas dënimit të kenë kaluar një kohë e caktuar deri sa të zbulohet në çfarëdolloj rrethane ai dënim. Gjithashtu nuk trajtohet as përputhshmëria e neneve të Kodit Penal të shtetit ku është dënuar, me ato të vendit tonë, kur jemi në kushtet kur gjykata shqiptare nuk ka bërë njohje vendimi.
Sa trajtova më lart, e ritheksoj se nuk kam qëllim të mbroj absolutisht zotin Pjetri, por dua që në kuadër të luftës politike të mos shkelen të drejtat dhe liritë e individit. Zoti Pjetri ka qenë funksionar i lartë i shtetit dhe mundet që edhe ILDKPI-ja të bëjë hetim pasuror dhe ai le t’i justifikojë ato përballë saj. Por ky linçim publik që po i bëhet ku i kërkohet me ngulm prokurorisë për sekuestrim pasurie duke e trajtuar atë si një mafioz, më duket shumë i ulët.
Gjithsesi, ftoj çdokënd që ka mendim ndryshe nga i imi, që të më kundërshtojë me argumente, përfshi edhe zotin Gjata. Debati ku mungon fryma përjashtuese dhe linçuese, por mbizotëron logjika e ftohtë, është gjithnjë i mirëpritur, sepse asnjë nuk është aq i ditur sa t’i dijë të gjitha. Qofsha unë i gabur në këtë rast.