Liverpool ka triumfuar në Stamboll kundër Chelsea-t dhe ka fituar Superkupën e Europës për herën e katërt në historinë e klubit. Skuadra e Klopp ka patur nevojë për penalltitë për të siguruar trofeun pasi koha e rregullt dhe ajo shtesë u mbyllën në barazim.
Takimi i zhvilluar në Stamboll, që do të mbetet në histori për shkak se ka qenë finalja e parë e një kompeticioni europian për meshkuj e arbitruar nga një femër dhe Superkupa e parë e Europës e luajtur mes dy ekipeve angleze, ka qenë i luftuar nga minuta e parë deri tek ajo e fundit.
Kanë qenë londinezët që kanë zhbllokuar takimin me Giroud në minutën e 36-të, ndërsa reagimi i “Të Kuqve” ka ardhur në fillimin e pjesës së dytë, në minutën e 48-të, me Sadio Mane, i cili është bërë afrikani i parë që shënon në Superkupën e Europës pas Frederic Kanoute për Sevilla-n kundër Barcelona-s në 2006-ën.