Kryedemokrati Lulzim Basha ka komentuar nga Belshi aksionin anti-informalitet të bërë nga qeveria përgjatë ditëve të fundit. Basha tha se dhuna e tatimorëve ndaj biznesit të vogël bëhet për të financuar grykësinë dhe luksin e Edi Ramës me disa klientë të tij milionerë.
“Rama është sponsorizuesi dhe përfituesi kryesor i informalitetit. Ai kaloi ligjet që favorizojnë klientët dhe oligarkët e tij, ndërkohë që rëndon me taksa, tarifa dhe gjoba sipërmarrjet e vogla dhe të mesme. Vetëm këtë javë, nga tenderi korruptiv për uniformat e policisë, 15 milionë euro zhduken në xhepat e Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij. Nga tenderi korruptiv monopolist për sistemin e ri të faturimit të biznesit, që nxjerr jashtë përdorimit kasat fiskale, i shtojnë me ligj një taksë të re deri në 100 euro biznesit. Këtë po e bën një kompani fantazëm, gjoja kroate, por, në fakt është kompania e keshilltarit kroat te Edi Ramës dhe paratë do të ndahen me familjarët e kryeministrit.”– u shpreh Basha.
Ndonëse pa asnjë përfaqësues në asnjë nivel pushteti Basha vijoi deklaratata politike duke thënë se PD është e vetmja forcë që ka përvojën qeverisëse për të sjellë ndryshim në vend.
“Ka vetëm një forcë që ka fuqinë politike, përvojën qeverisëse, vizionin, vendosmërinë e, mbi të gjitha, kredon morale për ta sjellë këtë ndryshim përmes zgjedhjeve të lora e të ndershme. Ajo forcë është Partia Demokratike e Shqipërisë”, tha Basha.
/a.r