Nga Linda Karadaku
Nuk e kisha dëgjuar kurrë më parë këtë term të përdorur për krizë, qoftë ajo politike apo tjetër. E lexova në një lajm të Zërit të Amerikës për Madagaskarin, një vend në Oqeanin Indian, i cili në 2009 përjetoi një grusht shteti ku ushtria rrëzoi ish-Presidentin Rajaonarimampianina pas protestave të dhunshme të ngjizura nga Presidenti aktual, atëherë kryetar bashkie, Andry Rajoelina. Rajoelina qëndroi në krye të një presidence kalimtare që nga 2009 deri në 2014 pas përfundimit të zgjedhjeve, në të cilat, Presidenti kalimtar dhe ish-Presidenti, u ndaluan për të mos kandiduar në zgjedhjet presidenciale, si pjesë e një marrëveshje post-krizë të mbështetur nga ndërkombëtarët. Presidenti kalimtar nguli këmbë deri në limite për të qenë pjesë e fletë-votimit, por në fund, pas pothuaj katër vjetësh, u tërhoq. Dy burrat kandiduan në zgjedhjet presidenciale të dhjetorit 2018, në një fushatë të ashpër, që pas dy raundesh nxori më në fund fitues ish-presidentin kalimtar Rajoelina, i cili premtoi më shumë energji të ripërtëritshme dhe më shumë investime dhe biznes. Kalimi i pushtetit u bë për herë të parë në historinë e vendit midis dy burrave, Presidentit dhe ish-Presidentit. Dhe po për herë të parë, në historinë e vendit që ka kaluar gjithë kohën nëpër kriza politike që nga koha kur fitoi pavarësinë nga Franca në vitin 1960, inagurimi i Presidentit të ri, u bë në praninë e rivalëve të tij elektoralë dhe shefave të mëparshëm të shtetit.
Në kohën kur Rajoelina ishte Presidenti kalimtar dhe nuk pranonte një marrëveshje ku as ai, as ish-Presidenti i rrëzuar, të mos ishin pjesë e fletës së votimit, pra të mos garonin në zgjedhje, vendi, i cili dikur njihej si parajsë jugafrikane, me plazhe mahnitëse, ishte në kaos dhe të gjithë parametrat ekonomikë po shkonin me kokë poshtë. Përfaqësuesi i UNICEF-it në Madagaskar në atë kohë Steven Lauëerier, e quajti krizën politike në vend, një “krizë e heshtur.” Analistët politikë afrikanë paralajmëruan në atë kohë se Rajoelina do ta linte pushtetin në të njëjtën mënyrë sic erdhi në pushtet, përmes një kryengritje popullore, por këtë herë kundër tij. Arsyet? Njerëzit po humbisnin vendet e punës, të rinjtë nuk gjenin vende pune dhe ekonomia po shkonte keq e më keq. dhe të rinjtë, sic tha njëri nga analistët jugafrikanë, “nuk kanë më dëshirë të pranojnë udhëheqës që ua imponojnë veten qytetarëve.”
Ndërsa Lauëeirier qartësoi se ngërcit duhej ti vinte fundi, se politikanët duhej të gjenin një zgjidhje, sepse kriza politike kishte cuar në një situatë shumë të vështirë për qytetarët e vendit. Dhe kjo zgjidhje varej nga një njeri! Dhe zgjidhja u bë përsëri në tavolinë. Sepse sado që të luftosh në rrugë, përsëri në fund të fundit, zgjidhja vjen në tavolinë.
Në rastin tonë shqiptar, nuk jemi aspak larg kësaj historie të trishtë afrikane. “Kriza jonë e heshtur” e shkaktuar nga një numër precedentësh fatkeqë, të pamenduar mirë dhe me shumë pasoja politike, ekonomike dhe sociale, që nga dorëheqja nga mandatet dhe zgjedhjet nga opozita, e deri tek kontrolli i pushtetit qendror dhe local nga një parti dhe një grup njerëzish të shumicës, vazhdon të zgjasë dhe të jetë paqësore, me pak shtrëngime dhëmbësh, për vetëm një arsye: njerëzit janë të lodhur nga “kryengritjet në pallat” dhe të zhgënjyer nga klasa politike në total! Mund edhe të vazhdojë kështu gjatë (zgjati pothuaj 4 vjet në Madagaskar), por të gjithë e dimë se nuk mund të shkojë kështu pafundësisht. Rivendosja e normalitetit politik, ekonomik dhe social nuk bëhet me pozicione në njërën anë apo në tjetrën, me tallje dhe ironi, me shkëmbime batutash në distancë, apo me reagime apokaliptike. Zgjidhjet serioze dhe të mencura të krizës sonë të heshtur bëhen nga njerëz seriozë dhe të mencur.
“Kur e shkruan në gjuhën kineze, fjala krizë është e përbërë nga dy shkronja. Njëra përfaqëson rrezikun dhe tjetra përfaqëson mundësinë,” ka thënë John F. Kennedy.