Nga Skënder Minxhozi/
E keni parasysh filmin e famshëm shqiptar “Koncert në vitin ‘36”, ku çdo frazë dhe dialog është kthyer në batuta dhe shprehje humori?! Është filmi që, përtej dozës së kudondodhur të progandës së kohës, zbërthen në mënyrë të pamëshirshme e mjeshtrore arsenalin e zakoneve, sjelljeve, situatave e raporteve njerëzore, sociale e politike në një provincë shqiptare të viteve ‘30.
Nëse ka një arsye përse ai film dhe të tjerë si ai vazhdojnë të jenë edhe sot ndër të preferuarit e publikut shqiptar, nëse kërkoni një motiv përse pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë e kanë “Koncertin…” në arkivin filmik personal, nuk është vetëm pasi aty luajnë aktorë të mëdhenj dhe gjithçka është e bukur dhe e gjetur. Natyrisht që ky që është një faktor me rëndësi, por përtej kësaj rrethane, shqiptari i sotëm gjen tek këto vepra filmike të së shkuarës një copë ende të gjallë e vibrante të Shqipërisë sotme.
Shikoni sherrin për bashkinë e Devollit. Dy kryetarë grinden për një zyrë. Më saktë, ish-kryetari (pasi i ka mbaruar periudha e mandatit), kërkon të pengojë fillimin e punës së pasardhësit të tij. Një ngjarje e cila nis si dramë në mjediset e qytetit të vogël provincial, e që përfundon si barcaletë në mediat e Tiranës, të etura për lajme në këto kohë plazhi. Nëse i vendos përballë filmin e dikurshëm të Kumbaros, me grindjen prej gjelash të krerëve të Devollit, gjen pafundësisht paralele. E pra, këto dy histori janë 80 vjet larg njëra-tjetrës. Tetë dekada, ose dy regjime që zgjatën së bashku nja 60 vjet, si dhe një sistem i vendosur pas vitit 1990, që ka prodhuar një dyzinë qeverish e qindra krerë bashkiakë të harruar nga koha. Ikin e vijnë fytyrat dhe emrat, mbeten aty prapambetja, paaftësia për të qeverisur, dallaveret, tarafet, korrupsioni dhe provincializmi i shtetarit.
Kur sheh ngjarje si kjo e Devollit, apo kur mëson se një tjetër kryetare bashkie kërkon komision ndërkombëtar për të dorëzuar zyrën (!), kupton se ana e errët e këtij populli, nyja e tij e madhe e pazgjidhur që e ndan nga normaliteti demokratik, është një masë e palëvizshme dhe përjetshme, që riciklohet, shndërron formë, vishet herë me smoking e herë me xhinse, udhëton herë me makinën butaforike të Tefta Tashko Koços nëpër baltrat e Myzeqesë, e herë në avionët supersonikë të Rinasit. Por mbetet në fund fare, po ajo që ka qenë: një mal i lartë dhe i pakalueshëm injorance, interesash meskine, hilesh e bërrylash dhe prapambetjeje shekullore.
Shqipëria ndërron petkat, por nuk e harron zakonin e keq të hallakatjes nëpër kallamishtet e një shteti të dobët dhe të pazotin për të qëndruar mbi këmbët e veta. Prej shkurtit nuk merremi me gjë tjetër, veçse me sherre dhe protesta. Po të shohim 30 vjetët e fundit, thuajse çdo verë kemi pasur drama të ngjashme politike, të yshtura nga interesat e pista të partive dhe të ushqyera me “mish militantësh”. Parodia e shtetndërtimit vijon të konsumohet si në sheshin e përbaltur të Lushnjes, ku kamarieri i shkretë me tabakanë e kafeve në dorë, nuk di kujt t’i shërbejë të parit: kryetarit të bashkisë, nënprefektit apo shefit të policisë. Shikoni atë konflikt satirik dhe keni kuptuar edhe bashkinë e Devollit…