Nga Lorenc Vangjeli
Ballkani prodhon më shumë histori sesa mund të konsumojë! Fraza e famshme, e thënë dhjetra vjet më parë dhe në shumë gjuhë evropiane, është shumë e vërtetë edhe nëse thuhet vetëm për një vend tipik ballkanas si Shqipëria. Po të shihet se çfarë ka ndodhur në një stinë të vetme politike në Tiranë, sesa histori dramatike e qesharake kanë ndodhur, sesa ngërç, luftë e pandërprerë, paqe e munguar, kërcënime ekstreme, molotovë, gaz lotsjellës, auditore të braktisur nga studentë kundër qeverisë, të cilët refuzojnë edhe opozitën, shkundje kabinetesh qeveritarë, dalje nga sistemi të opozitës dhe zgjedhje të frakturuara, pra, nëse shihet çfarë ka ndodhur, Shqipëria ngjan sikur është një vend me nja 300 milion banorë, që ka armë bërthamore dhe që vendos për fatin e të paktën tre çerekut tjetër të globit duke qenë pikërisht kërthiza e vetë globit.
Vetëm në një vit politik dhe jo kalendarik, pra, nga shtatori i vjetshëm e deri në këtë fund korriku të sivjetshëm, rrëmeti i ngjarjeve të bujshme që janë rrokullisur, është i jashtëzakonshëm. Në një listë të pjesshme fillon e numerotohet procesi ndaj një ish-ministri të brendshëm, që në fakt është gjyq për nja dy vjet të mandatit të parë të së majtës së bashkuar, protesta e studentëve, ndryshimi radikal i kabinetit qeveritar, skandali i Unazës së Re, depërtimi i skandalit të përgjimeve në median ndërkombëtare, konflikti mes kryeministrit e presidentit, djegia e mandateve të opozitës, riformatimi i parlamenti me deputetë të rinj, stina e zgjatur e protestave të saj, shndërrimi në të pandehur të drejtësisë i kryetarit të opozitës, bojkoti i zgjedhjeve lokale, dekretetet kundërthënës të Presidentit të Republikës dhe nisja e procesit për shkarkimin e tij, ndeshjet juridike për në Gjykatën Kushtetuese që ende nuk ekziston dhe përplasja e fundit e pushtetit me një pjesë të artistëve për çështjen e teatrit Kombëtar, janë vetëm disa nga goglat e tespieve të sherrit të pafundëm shqiptar.
Tmerr edhe vetëm t’i numërosh.
Nervozizëm edhe vetëm për t’i kujtuar.
Stres pafund për qytetarët me telekomandë në dorë, të gjendur nën këtë agresion të jashtëzakonshëm të konfliktit, krizës dhe arrogancës politike në vend, që nuk po arrin dot të jetë thjesht dhe vetëm një vend normal.
Duhet vetëm pak distancë në kohë për të parë se në themel të krizës ciklike të vendit qëndron një klasë politike e cila nuk është në gjendje të japë zgjidhje për problemet e vendit, por është shndërruar në një problem për t’u zgjidhur.
Një klasë politike, plus dhe administrata që ajo ka prodhuar, është shndërruar deri në qelizën më të vogël të saj, në një shumësi bejlerësh eunukë, nga poshtë e deri lart dhe anasjelltas, që shkelmojnë egërisht edhe harremin e vet elektoral, për shkak të tredhjes së trurit dhe rrënimit të shpirtit. Të trashë në të menduar dhe të ligj në të ndjerë, në shumicë dërmuese ata janë një kastë jo përfaqësuese edhe e nivelit mesatar të shoqërisë politike.
Duke mos e merituar kurrë popullin që kanë qeverisur në gjithë këtë shekull, duke e qeverisur këtë popull në mënyrë kriminale dhe idiote, qeveritarët shqiptarë duhet të jenë subjekt i mohimit dhe përbuzjes dhe jo nderimit dhe lavdeve.
Një shqiptar i mençur e cinik si Konica, thotë se Shqipëqrinë e ngjallën idealistët, e ruajtën rastet dhe e vranë politikanët! Secili nga ta ka një identikit të përbashkët me tjetrin: është i Paparashikueshëm, kërkon të jetë i Përhershëm, bën gjithçka të mbetet i Pandëshkueshëm! Duke prodhuar më shumë marrëzi e neveri, histori e histeri sesa meritojnë shqiptarët ballkanas.