Gjykata Speciale e Hagës së fundi ka dërguar ftesa dhe ka intervistuar dy figura të profilit të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, dhe ish-zëdhënësi i UÇK’së, Jakup Krasniqi, sot kanë përfunduar intervistimin nga Dhomat e Specializuara.
Haradinaj ka deklaruar pas intervistimit se është mbrojtur në heshtje, ndërkohë Jakup Krasniqi s’ka thënë asgjë para gazetarëve, përveç që është falënderuar për interesimin e mediave, shkruan Gazeta Express.
Lidhur me intervistimin e Ramush Haradinajt, në mediat serbe ka filluar propagandimi se ftesa e tij nga Specialja ka të bëjë me rastin e “Shtëpisë së Verdhë”.
Por çfarë kishin deklaruar amerikanët, ambasadorja Tracey Jacobson, dhe hetuesi amerikan, Clint Williamson për Gjykatën Speciale dhe për punën që do të bëjë ajo.
Në shkurt të vitit 2015, atë kohë ambasadore e SHBA-së në Prishtinë, Tracey Jacobson, teksa kishte folur për themelimin e Gjykatës Speciale, kishte treguar se ajo gjykatë do të trajtojë jo më shumë se 10 raste.
“Kjo Gjykatë do të heqë njollat e zeza që i janë veshur UÇK-së dhe assesi nuk do të merret me gjykimin e luftës së lavdishme të UÇK-së. Nuk janë më shumë se 10 raste”,kishte deklaruar Jacobson atë kohë.
Jacobson ndër të tjera kishte thënë se në rast se dështon themelimi i Gjykatës Speciale, atëherë një gjë e tillë do t’i kalonte në dorë OKB’së.
Të njëjtat deklarata sikurse të Jacobson, i kishte bërë edhe hetuesi amerikan, Clint Williamson.
”Kjo Gjykatë do të merret me të paktën 10 raste të dyshuara për krime lufte”, citon DW një deklaratë të Williamson në një shkrim të datës 24 nëntor të vitit 2017.
Në vitin 2015 një burim ndërkombëtar i kishte thënë Gazetës Express se para Gjykatës Speciale do të dalin diku mbi 100 persona.
“Kurrë nuk ka ndodhur që 10 raste të jenë 10 persona. Në fakt, para gjykatës do të dalin mbi 100 persona”, kishte thënë një zyrtar ndërkombëtar në kushte anonimiteti për Gazetën Express më 2 mars të vitit 2015.
Ky burim kishte thënë ndër të tjera se faktin që do të trajtohen mbi 100 persona e dinë edhe liderët e Kosovës.
Megjithatë asnjëherë nuk është specifikuar saktë se cilat janë këto 10 raste me të cilat do të merret Specialja.
Është raportuar shpesh herë se kjo Gjykatë do të trajtojë pretendimet e prokurorit zviceran, Dick Marty, rreth dyshimeve për trafik organesh, megjithatë diçka e tillë asnjëherë nuk është konfirmuar nga Specialja.
Gjykata Speciale është themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më 3 gusht të vitit 2015.
Ndryshimet kushtetuese që mundësonin krijimin e kësaj gjykate ishin përkrahur nga shumica e deputetëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
g.kosovari