Elena Lucrezia Peshkopia është e para grua shqiptare në botë që në vitin 1678 ka arritur të marrë doktoraturën në filozofi.
Gjatë shekullit ku jetoi ajo ishte gruaja më e ditur në Europë. Statuja e Elenës që u gjet në Universitetin e Padovës, një prej universiteteve më të vjetër dhe ndër më të njohurit në Europë, siç shkruan atsh, dëshmon për vlerat e arritjeve të jetës së saj.
Portreti i saj është gjithashtu edhe në dritaren e qelqit rreth 7 metra të lartë në bibliotekën “Frederick Ferris Thomson” në kolegjin Vassar të Nju Jorkut në SHBA ku Elena është portretizuar duke mbrojtur tezat e saj mbi Aristotelin.
Elena Peshkopia lindi në Venecia në 1646, ajo përfundoi shkollën e shqiptarëve “Santa Maria dhe San Gallo” në Venecia (Scuola di Santa Maria e di San Gallo degli Albanesi).
Shkolla ku Elena mësoi është themeluar nga fisnikët e edukuar shqiptarë në 22 tetor 1442 dhe për rreth 200 vite vazhdoi të funksionojë për arsimimin e shqiptarëve deri në fund të shekullit të 18-të. Që prej fillimit, djemtë dhe vajzat e frekuentonin këtë shkollë së bashku, institucioni financohej nga taksat që paguanin shqiptarët.
Në detyrimet përfshiheshin edhe gratë por ato edhe do të mund të përfitonin. Godina e shkollës ishte dizenjuar nga shqiptari Viktor Karpaçi, artist i njohur gjatë periudhës së Rilindjes Europiane, ai mbikëqyri ndërtimin e ndërtesës dhe dekorin e fasadave të shkollës, pikturat e tij janë gjetur në galeritë e Venedikut, Milanos, Parisit (Luvër), Vjenë, Londër.
Prezenca e madhe e shqiptarëve në Republikën e Venecias është lidhur me zhvendosjet e tyre sa më shumë drejt perëndimit si pasojë e pushtimit osman.
Elena, e talentuar edhe në muzikë vazhdoi studimet në filozofi dhe astronomi duke ndjekur edhe programin e doktoraturës në Universitetin e Padovës. Ajo mbrojti teoritë e saj të doktoraturës në 25 qershor 1678 para profesorëve të filozofisë dhe logjikës, mjekësisë dhe teologjisë. Ajo u bë një lektore në matematikë në Universitetin e Padovës ku qëndroi deri në fund të jetës së saj së shkurtër.
Elena Peshkopia ndërroi jetë nga tuberkulozi në 26 korrik të vitit 1684 në moshë shumë të re, vetëm 38 vjeç. Ajo prehet në kishën e Shën Lukës në Padova të Italisë. (redaktor.al)