Nga Skënder Minxhozi/
Në fillim vendosi se duhet të votonim më 30 qershor 2019. Gjashtë muaj më vonë na tha se ajo datë anullohet, por nuk na komunikoi një datë të re, siç e kërkon Kushtetuta e vendit. Prodhoi një dekret-shterp. Më pas, megjithëse dy partitë më të mëdha thanë “Jo”, vendosi me partinë e tij se shqiptarët duhet t’i zgjidhnin krerët e pushtetit vendor më 13 tetor. Kurse tani, ashtu si pa u ndjerë, na thotë nga Xhafzotaj i Durrësit se është gati ta negociojë datën e mësipërme me Ramën dhe Bashën.
Akrobacitë e Ilir Metës në muajt e fundit, shkojnë në përpjestim të drejtë me ethet opozitare të djegies së mandateve, protestave, molotovit dhe bojkotit të zgjedhjeve. Këto dy sjellje, njëra brenda mureve të Presidencës, tjetra në dyert e Kryeministrisë dhe Parlamentit, i bashkon e njëjta axhendë, të njëjtat interesa dhe i njëjti armik – Edi Rama.
Pasi nuk tha asnjë fjalë gjatë muajve kur opozita sulmonte zgjedhjet e dekretuara prej tij, Presidenti e ndau më në fund mendjen të shtynte 30 qershorin, pa dhënë asnjë datë alternative. Siç ja kërkon në mënyrë taksative Kushtetuta, me të cilën Meta ka luajtur ping-pong më shumë se një herë në vitin e fundit. “Vetëm Gjykata Kushtetuese i gjykon veprimet e mia”, ky ka qenë refreni i Ilir Metës, në të cilin nuk fshihet asfare dëshira për të abuzuar me ligjin, “sa kohë s’ka arbitër në fushë”!
Oferta e fundit e Ilir Metës për të negociuar 13 tetorin, vjen pasi ai ka hedhur në erë sinoret e tij institucionale, është sherrosur me maxhorancën, ka sulmuar e tallur ndërkombëtarët dhe e ka kthyer postin e lartë që mban në një çerdhe batutash e banalitetesh që i gjejmë përditë në rrjetet sociale. Një Edi Ramë i sajuar keq, do të thoshte një vrojtues i çfarëdoshëm i politikës shqiptare.
Presidenti nuk mund të kontrabandojë data zgjedhjesh pa pyetur askënd. Aq më tepër kur është në zgrip me Kushtetutën dhe kur të gjitha palët i ka kundër. Dekreti i 13 tetorit ishte i padakordësuar me askënd dhe kjo sot është e qartë. Nëse Lulzim Basha është i gatshëm që për interesa të çastit të kapet pas fijes së flokut vetëm që t’i shpëtojë gafës së rradhës, pjesa tjetër e shoqërisë shqiptare s’ka pse shkon pas aventurash.
Hyrja graduale në zyrë e bashkiakëve të rinj e bën sa qesharake, aq edhe të pavlerë vijimin e retorikës së 13 tetorit, apo edhe të një date tjetër të negociuar. Kush do të jetë i gatshëm të nxjerrë nga zyra pas katër muajsh, ata që sapo morën në dorë mandatin e ri?! Qoftë edhe me votime të shëmtuara njëpartiake?!
Ashtu si opozita, kreu i shtetit po vuan sot kokëfortësinë e mosnegociimit me qeverfinë dhe ndërkombëtarët, gjatë pesë muajve të krizës së mandateve. Përkundër shqetësimit fals që lidhet me hapjen e negociatave me BE, Meta ka rastin të kuptojë se në çfarë pozite e vendosën atë vetë negociatat e munguara me maxhorancën dhe ndërkombëtarët.
Kësisoj, edhe kur propozon një datë tjetër brenda tetorit, ai bën sikur ende s’e ka kuptuar që reforma në drejtësi, ose Ramaforma siç e quan vetë, ishte faktori bazë që imponoi mbajtjen e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe mosrënien e qeverisë Rama. Dhe në tetor do të jetë sërish shumë herët për të trazuar ujrat, pasi reforma nuk do të ketë përfunduar ende. Sa për qeverinë, ata që e mbajtën në këmbë në verë, do ta bëjnë këtë sërish në vjeshtë!
Pesë muaj krizë politike e futën në kaos total politik dhe mental opozitën dhe presidentin. Duke i futur kështu në një sezon vere kur nuk dinë sesi t’i shtyjnë ditët e pushimeve, por edhe më keq akoma, kur nuk dinë nga t’ja nisin në shtator. Akrobacitë me datën e vdekur të zgjedhjeve lokale janë një dëshmi i këtij konfuzioni, nga i cili duhet kohë të dilet. Shihni Metën dhe Bashën!