Nga Mero Baze
Berisha e ka përsëritur një fotografi me Tom Ridge. Ish lobisti i famshëm që Berisha e pajtoi më 2006 përmes Damir Fazlliç dhe që përfunduan së bashku me të dhe djalin e tij, duke bërë tregëti armësh në Ballkan, është personi nga i cili shqiptarët ruajnë si kujtim pjesmarrjen e Damir Fazlliç në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, fotografia më poshtëruese që Berisha i ka dhënë imazhit të Shqipërisë sa i përket seriozitetit të shtetit.
Nuk jam i sigurtë nëse është ende një lobist pro Trump-it, apo një i punësuar i tij, por është një njeri që me Fatmir Mediun dhe Sali Berishën e lidh historia e pazareve të armëve në Ballkan.
Tom Ridge sot është në Shqipëri për të mbështetur opozitën iraniane, që u ka ofruar strehë Shqipëria. Bëjnë pjesë në grupin e politikanëve amerikanë që mbështesin këtë opozitë.
Fotografia e përsëritur e Mediut dhe Berishës me të, për t’i dhënë shpresë opozitës shqiptare se kanë një Amerikë që i mbështet ata, është sot pamja më kuptimplote se ku e ka katandisur Berisha këtë opozitë.
Përpjekja për të thirrur në ndihmë njerëz që u ka pas dhënë biznese të dyshimta në kohën që ishin në pushtet, biznese që i përfshinë dhe djalin në atë histori, tregon shumë, se sa i izoluar është Sali Berisha në SHBA dhe akoma më keq, makthin që ai ka për të treguar se poshtërimi që i ka bërë SHBA, mund të shlyhet nga njerëz që dikur i ka paguar.
Parada e Lulzim Bashës që u jep dorën të ftuarëve nga opozita iraniane në Shqipëri, kjo e Mediut dhe Berishës që fotografohen me Rudi Gulianin apo Tom Ridgin, janë një detajë më shumë për të treguar izolimin e tyre dhe për t’ua mbushur mendjen mbështetësve të vet, se ata kanë akoma miq në SHBA që mund t’i japin vizën Berishës, apo që e duan Fatmir Mediun.
Nëse do të ishte normale, ata dhe nëse do t’i fotografonte dikush, mund ta fshihnin atë foto. Fakti që e tregojnë dhe tentojnë të bëjnë si njerëz që i përfill SHBA, flet shumë. Flet shumë sidomos për Berishën, i cili u duk se do ta përballonte më me dinjitet izolimin.
Kjo foto tregon vetëm faktin se ku i ka ngelur ora e historisë Berishës me SHBA dhe që parodizohet bukur me poezinë e Nolit, “Mbahu PD mos ki frikë se ke Tomin në Amerikë”.
U ka ngelur ora tek koha e lobistëve të tij, të cilëve u dha kontrata biznesi për armë në Ballkan, përmes Mediut.
Sepse shqiptarët Berishën nuk e kanë inat pse i kanë hequr vizën në SHBA, por e urrejnë pikërisht nga historitë e pista që prodhoi, që me trafikun e armëve me Fatmir Mediun dhe djalin e tij, në historinë e Gërdecit.
Kjo foto e dytë nuk ua prish mendjen. Ata kanë në mendje foton e parë ku Tom Ridge, Berisha e Mediu ishin në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Bashkë me Damir Fazllçin. Ky i fundit s’ka denjuar t’u bashkohet sot në foto. Duket që vazhdon t’i ketë punët mirë.