Nga Albert Nikolla
14 korriku, festa kombëtare e Francës, sjell në vëmendje historinë e fillimit të Revolucionit francez, ngjarja e cila ka bërë që jo vetëm Franca, por edhe Europa të mos ishin më si më parë! Ndoshta vetëm pak persona mund të kujtohen se ajo ditë ishte me të vërtetë mizore, megjithëse atmosfera e festimeve në Champs Èlysées është çdo vit krejt e gëzueshme, sepse u referohet kryesisht fryteve të Revolucionit.
Më ka frymëzuar përherë ky revolucion dhe letërsia që buron prej kësaj ngjarjeje. Ndoshta dy vepra janë fort domethënëse: romani “Nëntëdhjetë e tre” i V. Hygoit dhe libri i A. Tocqueville “Ancien régime dhe revolucioni”! Është pikërisht ky i fundit që më solli ndërmend një shëmbëlltyrë midis “ancién regime” francez dhe një “ancién regime” shqiptar! Tocqueville është i pari autor që e ka përdorur termin “ancien régime” për të përkufizuar çdo gjë që uragani i revolucionit kishte marrë përpara: sistemin monarkik, një mbretëri të mykur e sidomos një pafundësi privilegjesh të një sistemi politik të korruptuar që kishte krijuar padrejtësi të thella, sidomos te pjesa më e varfër e popullit. Ndërkohë që nga pikëpamja historike termi u referohet modeleve politike, juridike e shoqërore që kanë karakterizuar Europën e shekullit XVII e XVIII.
Dy miq shumë të vyer të mitë, njëri fotograf “Artist i merituar” e tjetri përkthyes mjaft i talentuar – i vetmi që ka përkthyer profesionalisht Niçen në shqip – përgjatë kuvendimeve antropologjike më kanë dëshmuar se Edi Rama ka pasur një shpirt rebel kundër atij që mund ta quaj metaforikisht “ancien régime” i parë ose koha e diktaturës. Ishte fundi i viteve ’80 dhe kundërshtia e tij mjaft kryeneçe ndaj këtij “ancien régime” ishte shfaqur dukshëm me pikturat e tij, me leximet e ndaluara dhe përplasjet e zjarrta debatuese me persona që ishin ose pjesë, ose afër nomenklaturës. Përmbledhjen e këtyre kundërshtive e shfaq hapur libri me bashkautorësi “Refleksione”. Kjo mund të quhej beteja e tij e parë me “ancient régime”, por një regjim i dytë ndoshta më problematik se i pari do të merrte jetë pas rënies së diktaturës. Ky ka krijuar një rrjet kapilar mbretërimi ku fjala kyçe është pandëshkueshmëria e çdo personi të pushtetshëm përballë çdo shkeljeje të ligjit.
Për analogji tani jemi në prag revolucioni me reformën në drejtësi dhe kjo është beteja e dytë dhe shumë më e vështirë e Ramës me “ancient régime”-n e dytë të 30 viteve tranzicion! Kjo është betejë që siguron pa frikë marrëdhënien e mirë me historinë. Luigji XVI, më 4 maj të 1789 thirri në takim tre përfaqësitë më të forta të pushtetit: klerin, aristokracinë dhe Shtetin e Tretë. Grupimi i fundit përbëhej nga borgjezë dhe intelektualë që ishin të mbrujtur nën ndikimin e “Kontratës Sociale” të Rusoit. Mbreti nuk arriti të merrej vesh me këto tri përfaqësi që kërkonin një kushtetutë të re dhe u përpoq ta mbante pushtetin me forcë. Ky hap shënoi edhe shkëndijën e fillimit të Revolucionit. Më 14 korrik turma e armatosur e popullit sulmoi fortesën e Bastijës. Forca e popullit e shoqëruar me një projekt të qartë politik e siguroi fitoren, edhe pse u deshën 10 vite kohë. Është pikërisht mbamendja e paepur kësaj force të popullit francez e ndërthurur bukur me projektin politik që francezët festojnë këtë ditë.
E ngjashme duket situata në Shqipërinë e 230 viteve më vonë! Një pjesë e të pushtetshmëve nuk ka kurrfarë dëshire ta lëshojë pushtetin dhe fatin e tyre politik tek një njësi e katërt e që ka qenë përherë në hije për 30 vite me radhë: gjyqësori! Rama është ndër politikanët më të vendosur kundër regjimit të vjetër për ta çuar përpara reformën në drejtësi duke u ngritur dhe duke e sulmuar edhe vetë “mbretin”!
Klima politika që është krijuar që prej fillimit të këtij viti është shëmbëlltyrë e një kohe revolucionare. 230 vjet pas Revolucionit Francez askush nuk e përqendron vëmendjen tek defektet e tij, por tek frytet që solli: perëndimi i feudalizmit, themelimi i gjykatave civile dhe heqja e torturës e sidomos barazia përpara ligjit. Në të njëjtën mënyrë nuk besoj se shoqërisë shqiptare, në brezat që do të vijnë, do t’u interesojnë cicmicet meskine të tribalizmit të sotëm politik shqiptar, por do të shohin me admirim një drejtësi të pavarur që garanton aksiomën e Revolucionit Francez: barazi përpara ligjit, dhe do të vlerësojnë ata që nuk u ndalën para vështirësive të reformës në drejtësi dhe as para mbretërve që e pengonin!
Kryeneçësia e Ramës e dëshmuar kundër “ancient régime”-t të parë jep shumë shpresë se beteja kundër të dytit është thuajse e sigurt në fitoren e saj. Sidoqoftë, Revolucioni Francez na mëson se nuk mjaftuan 10 muaj, por u deshën plot 10 vite për fitoren përfundimtare.
Një ndër mesazhet më të rëndësishme të “Ancien régime dhe revolucioni” të Tocqueville qëndron në faktin se ai e shikon revolucionin jo si një mjet që drejtohet kundër një pushteti të caktuar apo kundër një personi, por si një domosdoshmëri për një sistem të ri shoqëror. Për këtë arsye është e udhës që edhe reforma në drejtësi të konceptohet si një marsh i ri historik që nuk mund të reduktohet te individë të veçantë e që i jep frymëmarrje të madhe së ardhmes së krejt kombit shqiptar!